Mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka vendosur që ta përfaqësoj Kosovën në futboll dhe këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të shtunën.
Rexhbeçaj ka nënshkruar të jetë pjesë e Kosovës në prani të përfaqësuesit të Federatës së Futbollit të Kosovës për Gjermani, Fekmi Kongjeli, vëllait Blendard Rexhbeçaj që është menaxher i tij dhe biznismenit Afrim Osmanaj. Letra e konfirmimit u firmos me kreun e FFK-së, Agim Ademi që është shprehur tejet i kënaqur me prurjen e re te Kosova.
ADVERTISEMENT
Edhe vet Rexhbeçaj është shprehur tejet i lumtur që tash e tutje do të jetë pjesë e “Dardanëve” dhe në dispozicion të selektorit Franco Foda. 26-vjeçari nuk ka hezituar ta shpreh entuziazmin e tij për këtë vendim të rëndësishëm në karrierë. Ai falënderoi të gjithë për përpjekjet dhe kontaktet e vazhdueshme ndër vite.
“Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj.
Rexhbeçaj është pjesë e ekipit gjerman Augsburg dhe vlerësohet si mesfushor shumë cilësor. Ai ka përvoje të madhe në futbollin gjerman, ku në 159 paraqitje në Bundesligë ka shënuar edhe 9 gola e ka bërë 8 asistime.
Si lojtar, Rexhbeçaj është zhvilluar te Wolfsburgu, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Kolni e Bochumi.
“Kjo prurje e re është një hap i madh për Kombëtaren e Kosovës, duke shtuar një tjetër lojtar me përvojë dhe aftësi të larta. Tifozët Dardanët dhe gjithë komuniteti i futbollit presin me padurim paraqitjet e Rexhbeçaj në ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kosova do të grumbullohet në muajin shtator për ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.