Manchester City ka marrë i vetëm kryesimin e kampionatit anglez teksa ka mundur sot me shifrat 2-1 Brentfordin, në një ndeshje të nisur keq, por që e rregulloi i zakonshmi Erling Haaland.
Skuadra e Guardiolës pësoi gol që në sekondat e para të duelit, duke i dhënë mundësinë miqve të kalonin në avantazh me anë të Visa.
Por mjaftoi gjysmë ore lojë që situata të përmbysej plotësisht falë Erling Haaland, i cili ktheu rezultatin me dygolëshin e tij. Kështu, sulmuesi norvegjez që tani ka vënë diktatin e plotë në renditjen e golashënuesve të kampionatit me 9 gola të realizuar në katër takimet e para.
Manchester City mbetet skuadra e vetme me pikë të plota në kampionat pas katër ndeshjesh, pasi Liverpooli është mundur në shtëpi me rezultatin 1-0 nga Notingem Forest.
Goli i Hadson-Odoit në pjesën e dytë i dha miqve suksesin që u mungonte prej 55 vitesh, teksa ndali ecurinë perfekte të skuadrës së Arne Slot.