Mesfushori anglez, Declan Rice, ka premtuar se do të pijë birrë të vërtetë nëse skuadra e tij fiton Euro 2024 të dielën kundër Spanjës. 25-vjeçari, që ka pirë vetëm një herë birrë me limon, bëri të njëjtin premtim edhe tri vjet më parë.
Declan Rice ka premtuar se do të pijë birrë “të vërtetë” për herë të parë në jetën e tij, nëse Anglia fiton titutllin evropian të dielën kundër Spanjës në Berlin.
Mesfushori që nuk pi alkool bëri të njëjtin premtim edhe tri vjet më parë, në prag të finales kundër Italisë në Wembley, por Anglia humbi me penallti.
Anglezët kanë namin si pirës të mëdhenj të birrës e pijeve të tjera alkoolike dhe futbollistët nuk bëjnë përjashtim. 25-vjeçari Rice, ndryshe nga të tjerët, thotë se ka pirë birrë më parë, por ka qenë birrë e përzierë me limonatë, me përqindje alkooli që nuk shkon më lart se 2.5. Tani ai ka përsëritur premtimin, me shpresën që ta bëjë realitet në Berlin.
“E mbaj mend që e thashë edhe para finales së kaluar. Që atëherë, e kam pirë një birrë, por ishte me limonatë. Nëse fitojmë, do të pi një birrë të vërtetë. Ndoshta do ta zë hundën me dorë, sepse e urrej erën e birrës”.
Rice, ashtu si e gjithë skuadra, pati paraqitjen më të mirë të turneut në ndeshjen gjysmëfinale kundër Holandës në Dortmund, fituar 2-1.