Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës së Kuzum Babasë” në Bashkinë Vlorë.
Sipas aktit zyrtar, të propozuar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë, ndërsa pronarët e prekur do të kompensohen në vlerë të plotë për pasurinë e llojit “truall”, me një fond të përgjithshëm prej “1 439 196 (një milion e katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh”.
Vendimi përcakton se si vlera e përgjithshme e shpronësimit, ashtu edhe shpenzimet procedurale në masën 50 000 lekë, “përballohen nga buxheti i Bashkisë Vlorë”. Likuidimi i pronarëve do të kryhet nga bashkia pasi ata të kenë paraqitur dokumentacionin përkatës justifikues.
Procesi i shpronësimit nis menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe duhet të përfundojë “brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij”.
Paralelisht, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Drejtoria Vendore Vlorë, ngarkohet që brenda 30 ditëve të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë. Deri në përfundimin e këtij procesi, ASHK “pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar”.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
/rtsh.al/