Një “jetë” e re për stadiumin “San Siro”. Impianti mitik italian mund të mos braktiset nga Interi dhe Milani, dy skuadrat kryesore të Milanos dhe kjo falë një pune të jashtëzakonshme të bërë nga studioja WeBuild.
Ashtu siç pritej, të premten përfaqësues të kompanisë janë takuar me drejtues të lartë të të dy klubeve dhe kryebashkiakun e Milanos, ku kanë shpjeguar me detaje edhe projektin e modernizimit të stadiumit.
Media italiane bën me dije se projekti i WeBuild parashikon rikonstruksionin total të unazës së parë të tribunës, në mënyrë që të krijohen hapësira për tifozerinë VIP, një restorant modern, muze, e të tjera zona rekreative.
Gjithashtu parashikohet që unaza e dytë dhe e tretë të rikonstruktohen, për të krijuar një ambient gjithnjë e më komod për tifozerinë, ndonëse parashikohet edhe një ulje e lehtë e kapacitetit të stadiumit, në çdo rast jo më pak se 70 mijë ndenjëse.
Kompania parashikon që punimet të nisin në 2025-ën dhe të zgjatin tre vite, teksa është marrë përsipër ndërhyrja me faza, në mënyrë që si Interi, ashtu edhe Milani, të luajnë rregullisht ndeshjet në stadium.
Kostoja totale e punimeve të modernizimit përllogaritet rreth 400 milionë euro, shifër që do ta paguajnë dy klubet, në mënyrë që më pas të marrin edhe pronësinë e stadiumit.
Kryebashkiaku i Milanos u shfaq optimist për projektin e ri, teksa dy klubet nuk kanë mbajtur ende një qëndrim zyrtar, pasi kanë nevojë për më shumë konsultime, para se të vendosin përfundimisht nëse do të qëndrojnë në “San Siro” apo do të vazhdojnë me projektet e stadiumeve të ndara, në periferi të Milanos.