Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot në aksion pas pauzës për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, me dy përballje interesante që zhvillohen në kuadër të javës së tetë të kampionatit.
Llapi do të përballet me Ballkanin, ndërsa Drita do të jetë nikoqire e Malishevës.
Përballja ndërmjet Llapit dhe Ballkanit është paraparë të zhvillohet nga ora 14:00, ndërsa ndeshja Drita-Malisheva nis në orën 18:00..
Llapi do të kërkojë të reagojë pas rezultateve të vështira në javët e para të sezonit, ndërsa Ballkani synon të rikthehet te rezultatet pozitive pas humbjes 2:1 nga Malisheva në ndeshjen e fundit të zhvilluar para pauzës.
Për Ballkanin, fitorja është e rëndësishme për t’iu afruar kreut të tabelës, ndërsa Llapi ka nevojë urgjente për pikë, pasi pas shtatë ndeshjeve renditet në vendin e nëntë me vetëm tri pikë. Ballkani është i gjashti me dhjetë pikë.
Vëmendja do të jetë edhe te dueli në Gjilan, ku Drita synon të shfrytëzojë faktorin vendas për të marrë pikë ndaj Malishevës, njërës prej skuadrave që ka treguar formë të mirë në fillim të sezonit.
Malisheva renditet e dyta me 16 pikë, ndërsa Drita zë vendin e katërt me 11 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore eventuale do t’i ndihmonte Dritës të ngushtonte diferencën me skuadrat e kreut, ndërsa Malisheva synon të vazhdojë garën në pjesën e sipërme të tabelës.