Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot pas pushimit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare me dy ballafaqime të rëndësishme në kuadër të xhiros së nëntë, ku pritet të ketë lëvizje të rëndësishme në tabelën e klasifikimit.
Në Gjilan, skuadra e Dritës pret Malishevën, në një përballje mes dy ekipeve që ndajnë vetëm një pikë në renditje. Drita, që aktualisht renditet e katërta me 11 pikë, synon t’i rikthehet fitoreve për të mbajtur hapin me kreun. Nga ana tjetër, Malisheva me 10 pikë kërkon të marrë një rezultat pozitiv në udhëtim, që do ta ngjiste më lart në tabelë dhe do ta afronte me zonën evropiane.
Në ndeshjen tjetër, Prishtina e Re do të përballet me Gjilanin, në një duel direkt mes skuadrave të fundit në renditje. Të dyja kanë nga 7 pikë pas tetë ndeshjeve dhe fitorja sot është jetike për t’u larguar nga zona e rrezikut. Të dy ekipet do të kërkojnë të shfrytëzojnë këtë mundësi për të kthyer besimin dhe për të nisur fazën e dytë me më shumë stabilitet.
Pas tetë xhirove të para, Prishtina kryeson renditjen me 19 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 15 dhe Dukagjini me 14. Pas tyre vijnë Drita (11), Drenica (11), Malisheva (10), Llapi (9), Ferizaj (9), Prishtina e Re (7) dhe Gjilani (7)./kp