Wednesday, 21. January 2026
Sport

Rilindja e Gabriel Jesus, 10 vjet më parë braziliani refuzonte  Inter për City

GS 21/01/2026 2 Min. Lesezeit

Vendimtare një telefonatë e trajnerit Guardiola. Për të njëjtën shifër braziliani u tha “Jo” zikaltërve, që në atë kohë morën Gabigol.

Në mbrëmjen e errët ndaj Arsenal ishte një protagonist që Interi e njeh mirë: Gabriel Jesus. Dy golat e brazilianit bënë diferencën në fushë, ndërkohë që rikthyen në memorie pranverën e 2016-ës. Në Milano sapo kishte zbarkuar Suning, me ambicie të mëdha dhe një investim 30 milionë euro.

Operacioni me Palmeiras ishte strategjik, por 19-vjeçari Gabriel Jesus kishte një tjetër pretendent: Pep Guardiola. Dhe një telefonatë e spanjollit bëri që Manchester City të merrte talentin brazilian për 32 milionë euro.

Të njëjtën shifër ofronin edhe zikaltrit, të cilët më pas mbyllën akordin në Brazil me Gabigol për 30 milionë euro. Gabigol u kthye te Santos pak muaj pasi dështoi në eksperiencën europiane. Zbarkimi i Gabriel Jesus në “San Siro” riktheu në vëmendje atë periudhë.

Rilindja e Jesus ndryshon edhe statusin e tij në merkato. Paraqitja ndaj Inter e ndihmon atë për të dalë nga anonimati, ku përfundoi pas dëmtimit traumatik të ligamentit. Dëmtimi i tij e bëri Arsenalin të investonte 80 milionë euro për Gyokeres. Me kontratën që i skadon në 2027-ën, braziliani ndiqet nga disa klube, mes tyre dhe Milan. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Jesus, nëse do të jetë pjesë e projektit të “Gunners”.

Përpara është Botërori dhe Carlo Ancelotti mund t’i gjejë një vend, nëse vazhdon të tregojë kualitet. Po sikur Interi të trokasë sërish në portën e tij? Mbush 29 vjeç në prill, është në kulmin e pjekurisë si lojtar. Nuk do të ishte çudi, nëse do të luante në Itali shumë vite më pas. Guardiola nuk është më në lojë.

Teilen: