Më në fund ka ardhur zyrtarizimi. Jan Bisek ka rinovuar kontratën e tij me skuadrën e Interit deri në 30 qershorin e vitit 2029. Mbrojtësi gjerman futet kështu në listën e lojtarëve që kanë zgjatur bashkëpunimin me zikaltrit.
“Kjo firmë do të thotë që klubi dhe trajneri kanë besim tek unë. Të gjithë janë të lumtur nga rritja ime. Mendoj se rinovimi është diçka pozitive për të gjithë”, tha Bisek.
Cili është bilanci në fillimin e këtij sezoni? Mendoj se kam kalua pritshmëritë e shumë personave, sepse pak më njihnin kur erdha tek Interi. Kam bërë një punë të mirë dhe jam përmirësuar shumë në aspektin taktik. Kam kuptuar se si është futbolli italian. Kam mësuar edhe gjuhën. Deri tani ka qenë një eksperiencë pozitive.
Ku mendoni se mund të përmirësoheni akoma më shumë? Duhet të rritem sepse ende nuk jam lojtar perfekt. Jam ende i ri dhe kam disa aspekte ku duhet të përmirësohem, sidomos në aspektin taktik dhe mental. Në nivelin fizik dhe teknik nuk jam keq.
Interi është një skuadër e rëndësishme. E kishe menduar që do të nisje shumë shpejt një karrierë të tillë? Mund të duket e çuditshme, por do të them po. Gjithmonë kam besuar që mund të kisha një karrierë të shkëlqyer në futboll. Rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë, por kam besuar që mund t’ia dal. Tani që jam këtu është një moment i bukur për mua dhe familjen time. Shpresoj që të vazhdoj në këtë rrugë.
Çfarë të ka befasuar më shumë nga ky grup? Nuk e prisja që të arrija në një grup të jashtëzakonshëm njerëzish. Ndonjëherë të ndodh që kur luan në një grup me kampionë edhe të mos respektohesh, por këtu të gjithë të ndihmojnë. Të gjithë janë të afrueshëm me të tjerët dhe tani mund të them që Milano është shtëpia ime.
Je në Milano prej 2 sezonesh dhe tifozët të konsiderojnë një idhull. Keni një mesazh special për ta? Ndoshta për ta quajtur veten idhull është shumë shpejt, por i dua këta tifozë dhe për mbështetjen që më japin. Sigurisht që po kalojmë një moment pozitiv, por ata do të jenë me ne edhe në vështirësi. Shpresoj që këtë mbështetje t’ua kthej me paraqitje pozitive në fushën e lojës.
PANORAMASPORT.AL