Monday, 2. November 2026
Sport

Ristrukturimi i Gjyqësorit/ KLGJ kërkon rritjen e numrit të gjyqtarëve për të përballuar dosjet e prapambetura

GS 02/11/2026 5 Min. Lesezeit

Në përgjigje të fluksit të lartë të dosjeve të prapambetura dhe me synim përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka hedhur për konsultim publik “Studimin për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky dokument strategjik, i mbështetur në analizën e ngarkesës gjyqësore dhe metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), parashikon një ndërhyrje strukturore afatmesme (2026-2030). Propozimi vjen në kuadër të zbatimit të Udhërrëfyesit për Efikasitetin e Pushtetit Gjyqësor në Shqipëri 2025–2027, i cili synon “forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit nëpërmjet mirëadministrimit të burimeve njerëzore”.

Zgjerimi i organikës 

Sipas vlerësimeve aktuale të KLGJ-së, nga 417 vende të miratuara në organikë, vetëm 309 gjyqtarë rezultojnë efektivisht në detyrë. Kjo diferencë thekson nevojën urgjente jo vetëm për plotësimin e vakancave, por edhe për zgjerimin e trupës.

Në këtë kuadër, KLGJ propozon “shtimin e 84 vendeve të përhershme operacionale për gjyqtarë”. Ky numër do të ndahet mes 64 vendeve të reja në gjykatat e shkallës së parë dhe 20 vendeve në gjykatat e apelit, duke prekur si juridiksionin e përgjithshëm ashtu edhe atë administrativ dhe të posaçëm (GJKKO).

Për të mbuluar mungesat e përkohshme të gjyqtarëve për shkak të angazhimeve në institucione të tjera, dokumenti sugjeron “krijimin e 18 vendeve të përhershme të rezervës funksionale”, e ndarë kjo mes 10 pozicioneve për shkallën e parë dhe 8 për apelit. Këto lëvizje parashikojnë të çojnë numrin e përgjithshëm të vendeve të përhershme në 519.

Gjithashtu, theksohet nevoja urgjente për Gjykatën e Lartë, për të cilën kërkohet “krijimi i një kapaciteti të përkohshëm prej 9 gjyqtarësh për një mandat të vetëm, të parinovueshëm”, i kushtëzuar nga baza e nevojshme kushtetuese dhe ligjore.

Efekti financiar dhe burimet mbështetëse

Studimi e bën të qartë se shtimi i numrit të gjyqtarëve duhet të ecë paralelisht me rritjen e administratës. Ky propozim minimalisht kërkon shtimin e 336 punonjësve jogjyqtarë (ndihmës ligjorë dhe nëpunës civilë gjyqësorë).

Departamenti i Programimit dhe Administrimit të Buxhetit pranë KLGJ-së ka përllogaritur se ky ristrukturim do të ketë një kosto domethënëse për buxhetin e shtetit. Sipas relacionit bashkëngjitur, “efekti financiar për një vit buxhetor, të propozimit për shtesë të numrit gjyqtarëve dhe shtesë stafit administrativ gjyqësor përllogaritet përafërsisht, në shumën prej 1,220,000 mijë lekë”.

Kjo vlerë ndahet midis rreth 424 milionë lekëve për 102 gjyqtarët e rinj dhe rreth 656 milionë lekëve për 336 punonjësit mbështetës.

Ftesa për konsultim publik

Nisur nga rëndësia e kësaj reforme, KLGJ i ka bërë thirrje profesionistëve të fushës, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve të interesuar të japin kontributin e tyre. Konsultimet zyrtare do të zgjasin 20 ditë pune, “duke filluar nga data 02.11.2026 deri në 30.11.2026”, dhe palët mund të dorëzojnë sugjerimet e tyre përmes portalit kombëtar të konsultimeve publike, postës elektronike zyrtare, ose duke dërguar komente pranë godinës së “Polit të Drejtësisë” në Tiranë.

Më poshtë janë pikat kryesore të propozimeve të paraqitura në dokumentin konsultativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ):

  • Shtimi i 84 vendeve të përhershme për gjyqtarë: Parashikohen 64 vende të reja në gjykatat e shkallës së parë (juridiksion i përgjithshëm, administrativ dhe GJKKO) dhe 20 vende në gjykatat e apelit.
  • Krijimi i 18 vendeve të rezervës funksionale: Këto pozicione (10 në shkallën e parë dhe 8 në apel) do të shërbejnë për të zëvendësuar gjyqtarët që angazhohen për periudha të gjata në institucione të tjera, pa krijuar vakanca.
  • Kapacitet i përkohshëm në Gjykatën e Lartë: Propozohet shtimi i 9 gjyqtarëve me një mandat të vetëm dhe të parinovueshëm, specifikisht për të reduktuar stokun e dosjeve të prapambetura.
  • Rritja e administratës gjyqësore: Për të mbështetur gjyqtarët e rinj, kërkohet punësimi i të paktën 336 punonjësve jogjyqtarë (për 84 vendet e përhershme) dhe 56 punonjësve të tjerë shtesë për Gjykatën e Lartë.
  • Plani i investimeve: Kërkohet hartimi i një plani të posaçëm për të siguruar infrastrukturën e nevojshme ndërtimore dhe teknologjike për gjykatat e zgjeruara.
  • Zbatimi me faza (2027–2030): Të gjitha këto shtesa do të bëhen gradualisht, të kushtëzuara nga disponueshmëria e kandidatëve (magjistratëve), stafit mbështetës, financimit buxhetor dhe gatishmërisë infrastrukturore./rtsh.al/

Teilen: