Xhanluixhi Bufon ishte i ftuar në studiot e “DAZN” dhe ndër të tjera ka komentuar edhe atë që pritet të ndodhë në ndeshjen e parë çerekfinale në Champions mes Interit dhe Bajernit të Mynihut.
“Kur ke një skuadër aq të rëndësishme sa Interi, objektivi i vetëm është të arrish në fund të çdo turneu pa bërë shumë llogari. Ka lojtarë që kanë fitore në ADNnë e tyre dhe duan të triumfojnë kudo. Në Parma, megjithatë, pashë një skuadër të ngarkuar nga çështje mendore sepse kur je përpara me dy gola, një skuadër si Interi duhet ta çojë në shtëpi fitoren me këdo që përballet në fushë”, deklaroi ish-portieri.
Më pas, ai analizoi bavarezët dhe sidomos mungesat e Musialës dhe shumë lojtarëve të tjerë. Por, si reagon një lojtar duke ditur se në krahun e kundërt mungojnë elementë kaq të rëndësishëm? Kësaj pyetje u mundua t’i japë përgjigje Bufon që deklaroi: “Patjetër je i fokusuar te vetja, por nëse të tjerët mbërrijnë me 11 lojtarë nga ekipi i të rinjve është e natyrshme që qasja të ndryshojë.
Nga njëra anë në konferencë thua se të vjen keq sepse do të ishte mirë të luhej kjo ndeshje mes kampionëve, por në realitet je i lumtur sepse e di që ke më shumë shanse ta fitosh…”. Më pas, diskutimi i Xhixhit u shtri mbi kampionatin e Serisë A.
Sipas tij, që nga dita e parë lufta për kampionatin është mes Napolit dhe Interit. “Barazimi me Parmën mund të ketë një ndikim të madh në përfundimin e turneut. Interi duhej ta shmangte lënien e pikëve, sidomos pasi u gjend në avantazh të dyfishtë. Nëse je në garë krah më krah me Konten në javët e fundit të kampionatit, është më mirë të shmangni rënie. Ai ka një skuadër, së cilës i transmeton energji dhe te rivalët shton presionin”, përfundoi Bufon.
PANORAMASPORT.AL