Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që u dedikohet futbollistëve më të dalluar në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e pestë të këtij edicioni, çmimi i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Robert Rrahmani, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij në fitoren e rëndësishme kundër Ferizajt (0:1). Ai realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar gjilanasve tri pikë të vlefshme.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Blerim Haxholli, Isuf Llumnica dhe Denis Isaja.
Pas pranimit të çmimit, Rrahmani u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke theksuar se skuadra kishte hyrë në fushë vetëm me një objektiv – fitoren. “Nuk kemi pasur si synim as lojën e bukur, as të dalim nga detyrat tona. Trajneri na e ka bërë të qartë që duhet të luftojmë vetëm për tri pikë”, tha ai.
Ai shtoi se konkurrenca brenda skuadrës është e madhe dhe e shëndoshë, ndaj gabimet nuk kanë më vend. Në fund, Rrahmani falënderoi FFK-në për çmimin dhe ia dedikoi këtë vlerësim bashkëlojtarëve për angazhimin e treguar.