Rodri ka mbërritur në Barcelonë për t’i dhënë fund transferimit të tij te Barcelona. Mesfushori spanjoll pritet të bëhet përforcimi më i madh i klubit katalanas në këtë afat kalimtar.
Barcelona dhe Manchester City kanë arritur një marrëveshje parimore për transferimin e 30-vjeçarit. Sipas marrëveshjes, Barça do të paguajë 60 milionë euro fikse, ndërsa 11 milionë euro të tjera mund të paguhen përmes bonuseve, në varësi të titujve të fituar.
Rodri, fitues i Topit të Artë të Kupës së Botës 2026 dhe Topit të Artë në vitin 2024, mbërriti në Kataloni dhe u prit nga një numër i madh i gazetarëve.
“Jam i lumtur që kam ardhur. Kanë qenë disa ditë intensive, por jam shumë i lumtur që jam këtu. Të luash për Barcelonën është një ëndërr. Të synojmë Championsin dhe gjithçka që na del përpara”, deklaroi Rodri në fjalët e tij të para pas mbërritjes në Barcelonë.
Pas mbërritjes, mesfushori u sistemua në hotelin ku do të qëndrojë derisa të gjejë shtëpinë e tij të re.
Rodri pritet që të martën në mëngjes t’i kryejë testet mjekësore dhe fizike, të cilat janë hapi i fundit para nënshkrimit të kontratës me Barcelonën.
Pasi të përfundojnë procedurat dhe shkëmbimi i dokumenteve mes Barcelonës dhe Manchester Cityt, klubi katalanas planifikon ta prezantojë zyrtarisht Rodrin të martën pasdite.
Pas afrimeve të Gordon, Adeyemit, Bisiwus dhe Cancelos, Rodri është transferimi që pritet të bëjë më së shumti bujë te Barcelona këtë verë.