Bjellorusja mundi pas dy setesh ish-numrin 1 të botës në sfidën e 1/8-ve. Janë kualifikuar edhe Shnaider, Kalinskaya dhe Chwalinska.
Asnjë tronditje në pjesën e sipërme të tabelës së femrave në Roland Garros 2026, ku kanë përfunduar 4 ndeshje të 1-8-ve. Liderja aktuale e renditjes botërore, Aryna Sabalenka, arriti të kalojë pas dy setesh Naomi Osaka. Kanë avancuar për në çerekfinale të turneut të Parisit edhe ruset Diana Shnaider e Anna Kalinskaya, si dhe polakja Maja Chwalinska, një nga surprizat e Roland Garros.
Aryna Sabalenka arriti një tjetër fitore. Në ndeshjen e fundit të sesionit të mbrëmjes në Court Philippe Chatrier, tenistja që kryeson renditjen botërore mposhti 7-5 dhe 6-3 japonezen Naomi Osaka. Ish-numri 1 i botës u detyrua të dorëzohej pas një ore e gjysmë.
Ndeshja ishte e ekuilibruar në setin e parë, ku Osaka rezistoi mirë. Në setin e dytë pati luftë sportive deri në rezultatin 3-3, kur Sabalenka rëndoi këmbën te “gazi” dhe fitoi 3 gejme radhazi. Në çerekfinale të turneut bjellorusja do të ndeshet me rusen Anna Shnaider, e cila eliminoi 6-3, 3-6, 6-0 amerikanen Madison Keys.
Fitore e madhe edhe për rusen tjetër, Anna Kalinskaya, e cila në fund të një super tie-break me jo pak tension, mundi 6-4, 2-6 dhe 7-6 ish-bashkombasen Anastasia Potapova (që nga dhjetori i kaluar kjo e fundit garon nën flamurin austriak). Kalinskaya në çerekfinale do të ndeshet me polaken Maja Chwalinska, që i la vetëm 5 gejme beniamines së shtëpisë, Diane Parry.