Ronald Koeman, ish-trajneri i Holandës, është në zi për humbjen e bashkëshortes së tij, Bartina Koeman, e cila ndërroi jetë të martën në moshën 65-vjeçare. Familja e bëri publik lajmin të mërkurën në Instagram.
Bartina vuante prej vitesh nga kanceri i gjirit. Ajo u diagnostikua për herë të parë në vitin 2010, sëmundja u rikthye në vitin 2018 dhe në vitin 2023 u përcaktua si formë kronike.
“Me trishtim të madh, por edhe me krenari, shumë dashuri dhe mirënjohje, i japim lamtumirën gruas sime të mrekullueshme, mamit dhe gjyshes sonë të dashur”, – shkroi familja.
Ronald dhe Bartina ishin çift që nga fillimi i viteve ’80 dhe u martuan në vitin 1985. Ata patën tre fëmijë: Tim, Ronald Jr. dhe Debbie. Për dekada, Bartina ishte mbështetja kryesore e Koeman.
“Futbolli ishte jeta ime, por shëndeti është i paçmueshëm. Kur një njeri që e do me gjithë zemër përballet me një betejë të vështirë, perspektiva jote ndryshon”, – kishte thënë Koeman.
Vetëm javën e kaluar, djali i tyre Ronald Jr. dhe e fejuara e tij, Kiki, u bënë prindër për herë të parë, duke sjellë në jetë nipin e katërt të familjes.