Cristiano Ronaldo vazhdon që të shkruajë historinë kudo që shkel. Ndonëse nuk arriti që të fitojë kampionatin me skuadrën e tij (e mbylli i dyti pas Al Hilalit), legjenda portugeze ndryshon historinë edhe në Arabinë Saudite.
Në javën e fundit të kampionatit vendas, CR7 realizoi një dopietë në sfidën e fituar 4-2 kundër Al-Itihadit, duke e dërguar “bonusin” sezonal në 35 gola, në 31 prezenca.
E përkthyer ndryshe, kjo është arritja më e madhe personale e një futbollisti në historinë e kampionatit saudit. Kristiano Ronaldo arriti që të thyejë 34 golat e shënuar në sezonin 2018-2019 nga marokeni Abderrazak Hamdallah dhe tani është emri i portugezit ai që do të shkruhet me germa të arta.
Por gjithsesi, 35 golat e Ronaldos nuk janë vetëm një mburrje për karrierën e tij në Arabi, por në historinë e futbollit botëror, duke qenë se asnjë futbollist tjetër nuk ka arritur që të shpallet kryegolashënues në 4 kampionate të ndryshme. Diçka të tillë 39- vjeçari ka arritur ta bëjë në Premier Ligë me Mançester Junajtid; në La Liga me Realin e Madridit dhe në Serinë A me Juventusin.
“Nuk jam unë ai që ndjek rekordet, por janë rekordet që më ndjekin mua”, ishte postimi i Kristiano Ronaldos pas arritjes fenomenale të radhës, një stimul i rëndësishëm në pritje për Europianit “Gjermani 2024”, ku ai do të jetë sërish lideri i luzitanëve. “Falënderoj të gjitha klubet e karrierës sime, Sporting, Junajtid, Real Madrid, Juventus dhe Al Nasr për të gjitha këto arritje”.
Por teksa pas shumë kohësh përmend Juventusin, me të cilët nuk u nda shumë mirë, klubi bardhezi nga ana tjetër ka lajmëruar prej ditësh përballjen në gjyq me CR7-ën, për çështjen e 9.8 milionë eurove që Ronaldo fitoi të drejtën e rimbursimit, si rroga të periudhës COVID, të papaguara nga Juventusi.