Cristiano Ronaldo ka shprehur krenarinë e tij për djalin e madh, Cristiano Ronaldo Jr, i cili bëri debutimin e tij për Portugalisë U15, në një ndeshje kundër Japonisë të zhvilluar të martën në një turne në Kroaci.
Ronaldo Jr, 14 vjeç, u inkuadrua në lojë në minutën e 54-të, në një fitore 4-1 të Portugalisë ndaj Japonisë. Ai u mbështet nga nëna e Ronaldos, Dolores Aveiro, e cila ishte e pranishme në stadium për ta parë nga afër nipin e saj.
Mediat ndërkombëtare raportuan gjithashtu se në tribunat e stadiumit ishin të pranishëm vëzhgues nga Manchester United – ish-klubi i Cristiano Ronaldos – si dhe përfaqësues të disa klubeve të tjera elitare të Evropës, të interesuar për të parë nga afër performancën e Ronaldos Jr.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo Sr, reagoi përmes një postimi në Instagram duke shkruar.
“Urime për debutimin me Portugalinë, bir. Jam shumë krenar për ty.”
Në ndeshjen ndaj Japonisë, Rafael Cabral realizoi një “hat-trick” për Portugalinë, përpara se Ronaldo Jr të futej në lojë.
Ronaldo, i cili tashmë është 40 vjeç, është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj me 136 gola për Portugalinë. Ai ishte kapiten i kombëtares që fitoi Euro 2016 dhe Ligën e Kombeve në vitin 2019.
Cristiano Ronaldo Jr aktualisht është pjesë e Al-Nassr në Arabinë Saudite, klub ku luan edhe babai i tij që nga viti 2022. Ronaldo ka edhe katër fëmijë të tjerë: binjakët Eva dhe Mateo (7 vjeç), Alana Martina (7) dhe Bella (3).
Kombëtarja U15 e Portugalisë po merr pjesë në turneun “Vlatko Markovic” në Kroaci, ku do të përballet me Greqinë të mërkurën dhe me Anglinë të premten.