Monday, 13. April 2026
Sport

Rrahmani gati për derbin ndaj Lazios

GS 13/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani pritet të jetë i gatshëm këtë javë për lojë, kanë raportuar mediumet në Itali.

Rrahmani është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe do të ftohet nga trajneri Antonio Conte për ndeshjen Napoli – Lazio që luhet këtë të shtunë në kuadër të kampionatit italian.

Prej lëndimit që e pësoi ndaj Romës më datën 15 shkurt, Rrahmani i ka munguar Napolit në shtatë ndeshjet e fundit në Serie A.

Edhe pse pritej që Rrahmani të ftohej për duelin e fundit me Parmën, në të cilin Napoli barazoi 1:1, trajneri Conte ka vendosur mos ta rrezikojë mbrojtësin pasi llogarit në të prej ndeshjes së ardhshme.

32-vjeçari këtë sezon ka pasur telashe më lëndimet dhe deri më tani ka regjistruar 22 paraqitje në të gjitha garat për Napolin, ndërsa ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 1 asistim në kuadër të kampionatit.

Pas 32 ndeshjeve të luajtura deri më tani në Serie A të Italisë, Napoli zë vendin e dytë në tabelë me 66 pikë, nëntë më pak se Interi që është lider dhe veçse mund të llogaritet si kampion i këtij sezoni.

Teilen: