Amir Rrahmani u lëndua sa ishte me Kosovën në ndeshjen e 5 shtatorit ndaj Zvicrës në Basel.
Kosova u mposht 4:0 në ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit 2026, ndërsa kapiteni i Kosovës luajti vetëm 64 minuta.
Pati telashe muskulore dhe u zëvendësua. Më pas humbi ndeshjen me Suedinë, dhe me Fiorentinën e Manchester Cityn. Ndaj Pisas ishte në bankën rezervë, ndërsa ndaj Milanit në derbin e së dielës që luhet nga ora 20:45, pritet të jetë titullar.
Kështu ka shkruar “Tuttomercatoweb” të shtunën.
“Alessandro Buongiorno edhe një herë tjetër mungon shkaku i lëndimit muskulor dhe nuk pritet të luajë për disa javë. Juan Jesus pritet ta zëvendësojë atë në qendër, ndërsa Rrahmani ka përparsi ndaj Beukemas për të luajtur përkrah brazilianit”, ka shkruar mediumi italian.
31-vjeçari ka luajtur në dy ndeshje të Serie A këtë edicion për kampionin në fuqi të Italisë.