Trajneri Antonio Conte ka folur për të ardhmen e tij dhe mundësinë e një rikthimi në detyrën e trajnerit gjatë sezonit. Ai reflekton mbi karrierën e tij dhe dërgon sinjale të qarta, duke lënë të kuptohet se e ka mendjen te klube të mëdha në Itali apo Premier League.
“Shpesh, kur flas me lojtarët e mi, mbështetem te një dëshirë e zjarrtë për të fituar dhe përpiqem t’ua përcjell atyre. Kam fituar shumë, por kam humbur edhe shumë. Nëse humbet një finale të Botërorit ose të Champions League dhe më pas shkon me pushime, mund të mendosh se do të ketë një mundësi tjetër. Por nuk ka gjithmonë një mundësi tjetër”, tha Conte.
Pikërisht kjo çështje ishte një nga arsyet e ndarjes së tij me Tottenham në vitin 2023, i vetmi klub, krahas Atalanta ku Conte nuk arriti të kishte një periudhë të suksesshme. Gjithçka lidhet me një mesazh që ai mori nga presidenti i atëhershëm, Daniel Levy, pas një humbjeje.
“Shkova te Tottenham me ambicien për të ndryshuar pak gjërat. Mbaj mend që nuk kishim fituar ose kishim barazuar një ndeshje dhe i dërgova një mesazh. Ai m’u përgjigj: ‘Mos u shqetëso, do ta fitojmë ndeshjen tjetër’“, tregon trajneri italian.
“Ua thoja vazhdimisht: lojtarët zgjedhin gjithmonë rrugën më të lehtë, atë që u jep rehati dhe kërkon përpjekjen minimale. Ajo që më çmendte ishte të dëgjoja njerëzit përreth meje të thoshin se ‘Tottenham nuk do të fitojë kurrë asgjë’, se ishin humbës”, shtoi Conte.
“Pikërisht ky është problemi prandaj puna e palodhur është thelbësore. Fitorja nuk është e lehtë, kërkon përpjekje. Disa njerëz mendojnë se suksesi bie nga qielli drejt e në prehrin tënd. Por duhet të dalësh dhe ta fitosh vetë. Të flasësh thjesht për të nuk mjafton që ajo të ndodhë”, shtoi trajneri italian.
Ky është edhe mesazhi i Conte për të ardhmen e tij, ndaj jep disa të dhëna për destinacionin e tij të radhës: “Nëse bashkohesh me një klub historia e të cilit flet vetë, një histori e ndërtuar mbi trofe, tituj dhe fitore, ekziston vetëm një mënyrë për ta nderuar atë: duke pasur ambicien për ta rikthyer klubin në garë për ato trofe”.
“E di shumë mirë se vetëm një skuadër mund të fitojë çdo vit, por duhet ta mbaj atë shkëndijë brenda vetes dhe t’ua përcjell tifozëve, lojtarëve dhe drejtuesve. Ka shumë klube që disi e kanë humbur nga sytë historinë e tyre. Do të doja shumë t’i bashkohesha njërit prej atyre klubeve për ta nxjerrë atë të shkuar nga pluhuri dhe për ta bërë të shkëlqejë sërish”, tha Conte.