Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares së Kosovës, Bernard Berisha është rrëfyer gjatë në një intervistë për lajmi.net në lidhje me disa çështje që kanë të bëjnë me “Dardanët”, futbollin e Kosovës dhe të ardhmen e tij.
Berisha që është pjesë e ekipit Akhmat Grozny, që bën gara në elitën e futbollit rus, ka folur për kampanjën e Kosovës drejt Evropianit 2024, “mallin” që ka për Kombëtaren e gjestin e para disa viteve në fushë në raport me ish-trajnerin Bernard Challandes.
Futbollisti këmbëshpejtë gjatë intervistës nuk e ka fshehur edhe dëshirën për t’i ndihmuar sërish reprezentacionit kosovar, nëse do i jepet përsëri mundësia.
Intervista e plotë:
Lajmi.net: Kombëtarja e Kosovës nuk i ka nisur në mënyrën më të mirë kualifikimet. Si po e sheh formën e Kosovës, a ka gjasa për kualifikim në Evropian?
Berisha: Kombëtarja e Kosovës nuk e ka nis edhe mirë. Ka pas lojë ku kemi mundur me bë më mirë. Mirëpo kështu ka qenë e shkruar. Mendoj se gjasa kemi nëse fitojmë ndeshjet e ardhshme
Lajmi.net: E kujt mendon se është përgjegjësia që Kosova po ngec në kualifikimet, tash edhe më parë?
Berisha: Përgjegjësi duhet të marrin të gjithë. Pa përjashtim duhet të gjithë me qenë sa më të bashkuar për me arrit qëllimit që e kanë së bashku. Nuk ka individ por duhet të jenë të gjithë së bashku.
Lajmi.net: A po të mungon Kombëtarja e Kosovës?
Berisha: Normal që më mungon shumë edhe e përcjelli me shumë emocione. Ka pas lojë ku mendoj që kisha mundur shumë për ta ndihmuar Kosovën. Por, gjithmonë e respektojë vendimin e trajnerit për mos ftesën ndaj meje
Lajmi.net: Nëse të vjen ftesa sërish, a do ta pranosh?
Berisha: Unë jam gjithmonë i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën pa asnjë kusht
Lajmi.net: Jeni komentuar shumë për gjestin në fushë në raport me ish-trajnerin Bernard Challandes disa vite më parë, cila ka qenë e vërteta e krejt asaj dhe a ke biseduar me trajnerin zviceran pas asaj?
Berisha: E kam cekur shumë herë se ai gjest ka qenë një moment emocional sepse nuk mu është dhënë hapësira dhe jam ndjerë i nënçmuar në shumë situata dhe kam kërkuar falje për këtë
Lajmi.net: Sa ke kohë me e përcjell edhe Superligën e Kosovës, çka po të bën përshtypje?
Berisha: Superligën e Kosovës e përcjelli shumë. Në futbollin e Kosovës ka shumë talent. Skuadrave që do të marrin pjesë në garat evropiane iu urojë shumë suksese në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës
Lajmi.net: A ke menduar me e mbyll karrierën në një klub të Kosovës?
Berisha: Unë nuk e kam menduar akoma se ku do e përfundojë karrierën pasi kam edhe dy vite kontratë me Akhmat Groznyn./Lajmi.net/