Pavarësisht se ka fituar një titull (Superkupa e Evropës) dhe ka kontribuar me 13 asistime të drejtpërdrejta për gol në 21 ndeshje, aventura e Kylian Mbappésë te Real Madridi nuk ka nisur në mënyrën më të mirë.
Kohët e fundit, shumë e kanë kritikuar paraqitjen e tij, sidomos për dy goditjet nga pika e bardhë të penalltisë që i humbi dhe që ndikuan në humbjet përballë Liverpool-it dhe Athletic Bilbao-s.
Megjithatë, francezi ka thënë se është i lumtur në kryeqytetin spanjoll dhe se po fillon këtë kapitull të ri të jetës së tij, pas shumë viteve në Paris:
“Shumë i lumtur. Po filloj një fazë të re në jetën time. Kjo është eksperienca ime e parë jashtë shtetit. Po zbuloj një vend fantastik, me njerëz të sjellshëm. Është një vend shumë i bukur. Kam ëndërruar gjithmonë për Real Madridin. E dija që do të luaja këtu dhe do të kem sukses”, tha francezi në një intervistë për programin “Clique”.
“Nuk ishte fillimi më i mirë i sezonit, por po përgatitemi për trofetë që do të kenë rëndësi. Kemi fituar Superkupën e Evropës. Nuk e ka arritur nivelin që prisnim, por te Real Madridi jemi të gatshëm për pjesën e dytë të sezonit. Atëherë do të gjykohemi. Kritikat? Janë një efekt “boomerang”, kur prekin njerëzit që janë të afërt me ne. Unë nuk kam kontakt me televizionin francez këtu. Nuk e shoh. Janë më shumë miqtë e mi dhe familja që e shohin dhe flasin me mua për këtë. Unë doja të zbuloja diçka këtu. U përqendrova në këtë, po hidhesha në të panjohurën, edhe pse flisja gjuhën. Duhet të mësoj për kulturën. I kam dhënë shumë rëndësi përshtatjes kur mbërrita”, shpjegoi ai, duke folur gjithashtu për dashurinë që vazhdon të ketë për PSG-në.
“PSG ka pasur shumë rëndësi për mua. Kam kaluar shtatë vjet, është vend shumë intensiv, me momente të mira e të këqija. Kam pasur shtatë vite të jashtëzakonshme. Kam qenë gjithmonë i lidhur me PSG-në. Është një marrëdhënie që nuk zhduket”, zbuloi ai, duke shprehur objektivin e tij kryesor… Ligën e Kampionëve.
“A do ta fitojë PSG-ja Championsin? Në këtë moment, shpresoj që jo, sepse dua ta fitoj unë. Në të ardhmen, shpresoj që ta fitojë, sepse njerëzit kanë vuajtur shumë, por tani jo, sepse unë kam për ta fituar. Kam shkruar historinë time në Paris. Kam thyer rekorde dhe kam fituar tituj. Tani jam në klubin më të mirë të botës”, shtoi Mbappe.
“Më kanë përshkruar si shumë të pjekur. Ndonjëherë, mesazhet janë pa kuptim, njerëzit na shohin si robotë, por në thelb ne jemi qenie njerëzore si të gjithë të tjerët. Njerëzit na kritikojnë dhe na lavdërojnë. Karriera ime është një lumë i gjatë i pasigurisë. Që nga 14 vjeç, të gjithë më thoshin se do të bëhem i madh, por kur je i madh, ndonjëherë ndihesh i vogël. Tifozët e futbollit janë shumë të paqëndrueshëm. Nëse është mirë apo keq, pyetja është gjithmonë e njëjtë. Nëse je “yll”, njerëzit flasin për ty, edhe nëse nuk flet. Për këtë po flas sot. Çdo ditë ka diçka, edhe pse nuk kam dhënë asnjë intervistë”, tha ai, duke u ankuar gjithashtu për kalendarin, që nuk po e ndihmon të shfaqë paraqitjet më të mira në fushë.
“Kur shoh renditjen e sportistëve më të paguar, ka edhe sporte të tjera. Është e vërtetë që fitojmë shumë para. Nuk po them që nuk duam të luajmë, por na lejoni që edhe ne të pushojmë. Më pëlqen shumë të pushoj, sepse koha ime është e çmuar. Mund të bëni mijëra fotografi, nuk më intereson. Nëse doni që të luajmë, ne do të luajmë, por nuk kemi hapësirë për rikuperim. Vendimi është juaji. Unë vazhdoj të dua të luaj, por na jepni kohë për t’u rikuperuar. Në NBA ata kanë katër muaj pushim. Ne shkojmë jashtë për pesëmbëdhjetë ditë. Në javën e dytë, fillojmë të vrapojmë sërish, ato nuk janë pushime”, përfundoi Mbappe.