Santiago Gimenez është një futbollist ndryshe nga të tjerët. Jo domosdoshmërisht më i mirë apo më i keq, por thjesht ndryshe. Në një intervistë për “Sports Illustrated Mexico”, e konfirmon këtë.
Flet për futbollin, për teknologjinë, për Ibrahimoviçin, për Zotin dhe për një analist video personal që ai ka punësuar për të korrigjuar gabimet, dhe për një rend suprem me të cilin dëshiron të rregullojë jetën e tij. Ka edhe një moment kur, duke folur për Zotin, Santi fillon të qajë, ndalet për një çast, pastaj vazhdon përsëri.
ZOTI- Santi “takoi” Zotin në momentin më të vështirë të karrierës, kur në moshën 17-vjeçare iu desh të kalonte tri operacione për të shmangur që një trombozë në krah t’i jepte fund jetës së tij si futbollist. “Fola me babanë tim dhe i thashë: ‘Pse pikërisht mua?’ dhe ai m’u përgjigj: ‘Unë nuk e kam përgjigjen, por ka vetëm një që e ka, dhe ai është Zoti’. Dhe aty thashë: ‘Ka të drejtë’. Ajo frazë më mbeti brenda dhe atë natë shkova të bëja një banjë, i fika dritat dhe u ula në vaskë, dhe aty ndjeva lidhjen me Zotin, si të kisha filluar të flisja me të dhe ndjeva fuqinë e tij. Ishte një moment i vështirë. Dritat ishin fikur, u ula në vaskë dhe u luta për rreth gjysmë ore. Kisha sytë mbyllur dhe në një moment pashë sikur një elektrik më ndriçonte. I hapa sytë sepse u frikësova, por nuk kishte asgjë. Dhe aty kuptova që ai ishte me mua. Një ditë para rezultateve të analizave, të gjithë ishin nervozë, ndërsa unë nuk isha ndjerë kurrë më i qetë. Kisha sigurinë që gjithçka do shkonte mirë. Dhe atë siguri ma dha Zoti”, thotë ai.
MËNGJESI- E tashmja është një tjetër moment i vështirë, por, duke lexuar, të vjen të mendosh se Gimenez ka në mendje një rrugë për t’u ngritur sërish. Santi është i pari që mbërrin çdo ditë në qendrën stërvitore të Milanit, në “Milanelo”, që përpara mëngjesit, sipas një tradite që e ka nisur në Holandë. “Te Fejnordi, në fillim, kur krijuam këtë klub mëngjesi, ishim vetëm dy a tre lojtarë dhe në fund, kur ika, pothuajse e gjithë skuadra vinte për t’u stërvitur para mëngjesit. Tani për tani, në Milanello jam vetëm, por dalëngadalë do të tërheq edhe ndonjë tjetër”, zbulon meksikani.
ANALISTI- Gimenez tregon se ka një analist video personal që i tregon si të përmirësohet në fushë, si dhe një sistem të vetin për analizimin e performancës. “Përdor shumë aplikacionin e shënimeve për videoanalizat dhe për vlerësimin e paraqitjes. Pas çdo ndeshjeje shënoj çfarë kam bërë mirë, çfarë kam bërë keq, i jap vetes një notë. Kam ndjekur një kurs për leximin e statistikave dhe i organizoj sipas rezultateve. Mund të konsultoj se si ka shkuar çdo ndeshje dhe çdo tre muaj përpiloj një statistikë të përgjithshme për duelet e fituara, duelet e humbura, driblimet, gjuajtjet. Kështu shoh nëse statistika është në rënie, në rritje, dhe ajo që po bie është ajo ku përpiqem të përmirësohem. Kur grafiku është në rënie, është e rrezikshme. Kur është në rrezik, e di që duhet të përqendrohem aty. Dhe të qëndroj pas stërvitjes për të punuar mbi goditjet në portë”, zbulon ai.
IBRAHIMOVIÇ- Disa fjalë, të pashmangshme, edhe për Ibrahimoviçin. “Më pëlqen shumë personaliteti i tij, siguria që ka kur flet për veten, kur flet për atë që do të ndodhë. Ai nuk ka frikë nga ajo që thonë të tjerët, thotë vetëm atë që ndien dhe, më e rëndësishmja: atë që thotë, e bën”, përfundoi sulmuesi.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL