“Fair Play” është një epitet që mund t’i shkonte më së miri Havier Zanetit. Legjenda e Interit ka qenë gjithmonë një nga lojtarët më të respektuar brenda dhe jashtë fushe dhe ka mbajtur të njëjtën linjë edhe sot që është zëvendëspresidenti i klubit të tij të zemrës.
Argjentinasit i janë dhënë ditët e fundit dy çmime që përshkruajnë më së miri karakterin e tij: ai “Fair Play” nga Universiteti i Bokonit në Milano dhe “Ndërtojmë sjelljen në sport”, nga Agjencia Toskane e Shtypit për impenjimin e tij në çështjet sociale prej 20 vitesh. Me seriozitetin dhe përulësinë që e karakterizon, “Pupi” ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “Marca”, ku është ndalur te të gjitha çështjet që prekin Interin dhe ka treguar edhe favoritët e tij për Champions-in.
Ju sapo keni fituar çmimin “Fair Play” Menarini nga Universiteti prestigjioz Bokoninë Milano. Çfarë do të thotë kjo për ju nga këndvështrimi i lidershipit?
Është një krenari e madhe që, pas kaq shumë vitesh në futboll, jam i njohur edhe për atë që mund të bëhet jashtë fushës. Mendoj se është një çmim shumë prestigjioz, me më shumë se 25 vite histori, i fituar nga të mëdhenjtë e sportit. Kështu që jam shumë krenar.
Keni qenë një futbollist i madh dhe në krye për shumë vite. Mendoni se keni sërish një rol shumë të rëndësishëm si drejtues, pas kaq shumë vitesh tek Interi?
Para së gjithash, pasi mbaroi karriera ime si futbollist, menjëherë kuptova se duhej të përgatitesha për karrierën time si zëvendëspresident i Interit. Fillova të studioja për t’u bërë zëvendëspresident i Interit. Ajo që më interesoi më shumë është se jo gjithçka i referohet pjesës sportive, dhe unë mund të jem një lider me një vizion 360º. Sot e vërteta është se ndihem i respektuar nga UEFA, nga “Conmebol” Konfederate e Futbollit e Amerikës së Jugut, bëj shumë gjëra për Interin jashtë fushës dhe kjo ka vlerë të madhe për mua.
Interi e filloi sezonin shumë mirë, duke fituar 3 nga 3 në Serinë A. Jeni të kënaqur me mënyrën se si shkoi merkatoja?
Ne jemi të lumtur sepse janë larguar lojtarë të rëndësishëm, të cilët duhet t’i falënderojmë për atë që kanë bërë për fanellën dhe kanë ardhur lojtarë të rinj me një dëshirë të madhe për të bërë gjëra të rëndësishme me klubin tonë. Ne filluam kampionatin duke fituar të tria ndeshjet dhe duke treguar se sot jemi ende një ekip konkurrues.
Interi arriti vjet në finalen e Champions League në një mënyrë krejtësisht të papritur. A është e komplikuar përsëritja e asaj finaleje, duke parë si janë forcuar skuadrat e mëdha të Europës?
Do të jetë e vështirë, por dëshira për të provuar sërish nuk mungon. E dimë që në futboll gjithçka është e mundur, por duhet të ecim hap pas hapi. Së pari duhet të kalojmë grupin, gjë që është shumë e rëndësishme.
Dy trajnerë shënuan karrierën tuaj: Marcelo Bielsa dhe Zhoze Murinjo, dy stile shumë të ndryshme. Çfarë ju ka lënë secili prej tyre?
Më ka mbetur aftësia e Bielsas për të nxjerrë më të mirën nga ne dhe për ta bërë skuadrën e tij të vështirë për t’u përballur dhe më pas përulësia dhe aftësia e tij për të rizgjuar te çdo lojtar frymën për të cilën flet gjithmonë dhe metodologjinë e tij të punës. Nga Murinjo më mbeti aftësia për të bindur grupin se ne mund të bënim gjëra të rëndësishme, se edhe nëse fitimi i Serisë A ishte objektivi, ne mund të bënim një hap tjetër, domethënë të fitonim Champions League. Në fund ia dolëm, po flasim për një trajner shumë të kualifikuar dhe me shumë personalitet.
Duke folur për trajnerët, ju keni rinovuar kontratën e Simone Inzagit. Si drejtues, çfarë do të thotë kjo?
Stabilitet, njohja e meritave… Stabilitet. Kjo konfirmon se Simone Inzagi po bën një punë të shkëlqyer. Me shumë qetësi dhe personalitet ai vazhdoi të kishte besim në atë që po bënte dhe kjo i vlerësohet duke i dhënë vazhdimësinë që ka fituar dhe meriton.
Shumë futbollistë fluturuan në Arabi. Interi humbi Brozoviçin…
Është e vështirë të gjykosh sepse janë vendime personale që duhen marrë dhe shumë gjëra janë në lojë. Në karrierën time më është dashur të përballem me situata të këtij lloji, në të cilin mund të isha larguar nga Interi për në klube të tjera të rëndësishme, por në rastin tim vendimi përfundimtar gjithmonë vinte drejt klubit për mënyrën se si ndihesha, vlerat e tij dhe njerëzit. Kjo është më e rëndësishme për mua se çdo numër. Por kjo nuk do të thotë që të shkosh në Arabinë Saudite është gjëja më e keqe. Këto janë vendime personale.
Një nga vendimet ishte të mos vinit në Madrid. Pse e refuzuat Realin?
Epo, nuk shkova në Madrid për shkak të asaj që thashë më parë. Interi po kalonte një moment të vështirë dhe unë nuk mund të largohesha pa lënë gjurmë. Doja të isha protagonist dhe që nga dita e parë në Itali u identifikova me vlerat e klubit. Kjo ka mbizotëruar gjithmonë dhe kjo është arsyeja pse e kalova gjithë karrierën time tek Interi.
20 vjet më parë pati një derbi Inter-Milan në gjysmëfinalen e Champions League dhe ju ishit lojtar. Vitin e kaluar ka ndodhur e njëjta situatë, por me ju në tribuna. Cili është ndryshimi në ndjesi dhe nervozizëm mes përjetimit të një derbi në zonë dhe në fushë?
Kur je në fushë vrapon dhe përpiqesh të ndryshosh vetë rezultatin. Të jesh në tribunë është shumë e vështirë. Të luash derbin është shumë e veçantë, është një situatë unike, një ndeshje që të gjithë duan ta luajnë, ndihet shumë në të gjithë qytetin.Kur humba në vitin 2003 ishte shumë e vështirë sepse barazuam të dyja ndeshjet dhe për shkak të rregullit të golave në fushën kundërshtare u eliminuam. Viti i kaluar ishte ndryshe. Interi i fitoi të dyja ndeshjet dhe mendoj se arritëm me meritë në finalen e Champions League.
Mendoni se Lautaro mund të ndjekë gjurmët tuaja për sa u përket ndeshjeve, rekordeve…? Dëshironi ta mbani për një kohë të gjatë?
Isha unë ai që gjeta Lautaron dhe fakti që ai sot është kapiteni i Interit dhe ndihet i identifikuar me klubin më bën shumë të lumtur. Lautaro përcjell gjithçka që do të thotë një klub si Interi. Ai është një sulmues që përmirësohet çdo vit. Shpresoj që në të ardhmen të japë gjëra edhe më të rëndësishme.
Por në Premier League golat dhe sulmuesit vlejnë shumë… Duhet të jetë e vështirë të mbash një lojtar të tillë…
Unë jam i mendimit se kur je në një klub të madh si Interi është normale që ke lojtarë të mëdhenj dhe është normale që klube të tjera të rëndësishme duan të firmosin me ta. Pastaj ka shumë faktorë që e bëjnë lojtarin të qëndrojë ose të largohet.
Edhe pse nuk ishte lojtari juaj, si u përjetua te tifozët largimi i Lukakut te Roma?
Ne ishim të interesuar që Lukaku të qëndronte me ne. Më pas ndodhën gjëra që nuk i prisnim dhe vendosëm të largoheshim nga negociatat dhe Lukaku tani është lojtar i një klubi tjetër. Ai është pjesë e së kaluarës sonë dhe tani si klub duhet të shikojmë nga e ardhmja.
Çfarë kujtimesh keni nga finalja e Champions League në “Bernabeu”?
Ishte e mahnitshme. Duhet të luftoja për të fituar Champions League në një stadium historik. Atë ditë festoja 700 ndeshje me Interin. Kishin kaluar 45 vjet që kur klubi kishte arritur në një finale të Champions League dhe unë pata nderin të isha kapiten dhe përgjegjës për ngritjen e trofeut. Sjellja këtij trofeu në qytetin e Milanos ishte diçka unike. “Santiago Bernabeu” do të jetë gjithmonë një stadium emblematik për mua. Pa dyshim do të jetë një nga stadiumet më të mirë në botë.
Si e shihni këtë edicion të Serisë A?
E shoh si shumë të ekuilibruar sepse shoh që të gjitha skuadrat që kanë ambicie të fitojnë titullin në fund janë forcuar shumë mirë dhe shoh një Seria A shumë të ekuilibruar.
Në dhjetor Argjentina fitoi Kupën e Botës. Si u ndiet në atë moment?
U ndjeva pjesë e ekipit. Unë pata fatin të kaloja të gjithë Botërorin me familjen time dhe e vërteta është se ishte një emocion unik. Kur pamë Mesin duke ngritur trofeun ishte një çlirim. Argjentina e ka kërkuar Kupën e Botës për një kohë të gjatë. Me pak fjalë, u ndjeva shumë krenar që këta djem më në fund na bënë kampionë bote.
Kush mendoni se është favorit në këtë Champions League?
Sot Mançester Siti ka një skuadër shumë të kompletuar. Me siguri duke qenë kampioni i fundit do të provojë sërish. Por nuk i përjashtoj kurrë skuadrat e mëdha spanjolle, sepse janë kompeticione që i njohin shumë mirë dhe kanë traditën e Champions-it.
Sa për qind shanse i jepni Interit?
Ajo që na intereson më shumë është se Interi ka fituar respekt dhe mbetet konkurruesdhe shpresoj që kjo të na çojë sa më lart. Përsëritja e një finaleje është gjithmonë e ndërlikuar, por duhet provuar.
Champions League po vjen. Interi ka në grup Real Sociedadin, Benfikën dhe Salcburgun. E konsideroni Sociedadin rival për vendin e parë?
Sociedadi është një rival që duhet ta respektojmë shumë. Nga ajo që shoh dhe di për futbollin spanjoll, duket se Real Sociedad është një ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur. Futbolli iberik është shumë, shumë konkurrues dhe përballja me këto ekipe është shumë e vështirë. Mendoj se grupi me të cilin do të përballemi është shumë i balancuar.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL