Tuesday, 27. October 2026
Sport

Rrezikoi Parkun e Divjakës, kapet pranë vatrës së zjarrit 29-vjeçari i dyshuar

GS 27/10/2026 2 Min. Lesezeit

Një 29-vjeçar është shoqëruar nga Policia e Divjakës pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr në fshatin Kryekuq, i cili rrezikonte të përhapej drejt pyllit të Parkut Kombëtar të Divjakës.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 13:25, shërbimet e Policisë janë njoftuar për një vatër zjarri në zonën e Kryekuqit. Flakët po përhapeshin me shpejtësi dhe krijonin rrezik për djegien e sipërfaqeve pyjore të parkut kombëtar.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat pas ndërhyrjes kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe shkurre, ndërsa falë ndërhyrjes në kohë është shmangur përhapja e tij në zona më të gjera dhe dëmtimi i pyllit të Parkut Kombëtar të Divjakës.

Gjatë veprimeve në terren, shërbimet e Policisë kanë kapur pranë vatrës së zjarrit shtetasin me inicialet A. M., 29 vjeç, banues në Divjakë. Ai dyshohet si autor i zjarrvënies dhe është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë për kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të të dyshuarit.

/rtsh.al/

Teilen: