Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën me 23 futbollistët që do të jenë të grumbulluar për sfidën e sotme (e martë) kundër Zvicrës, ndeshje që mbyll Grupin B dhe që do të luhet në “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 20:45.
Dardanët mbeten teorikisht në lojë për kualifikim, megjithëse duhet një fitore me rezultat të thellë 6-0 – një skenar që, të paktën në letër, duket tejet i vështirë.
Pikërisht për këtë arsye, Foda ka zgjedhur të mos rrezikojë me disa nga lojtarët kryesorë që janë të kërcënuar nga pezullimi nëse marrin një tjetër karton të verdhë. Sipas përditësimit më të fundit nga UEFA, dy titullarët Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari nuk figurojnë në listën e ndeshjes kundër Helvetikëve, me arsyetimin e vetëm se duhen ruajtur për ndeshjet e mundshme të “play-off”-it.
Në vend të tyre rikthehen Lindon Emërllahu dhe Baton Zabërgja, të cilët munguan në sfidën e kaluar ndaj Sllovenisë.
Lista pëson edhe tri mungesa të tjera: portieri Faton Maloku nuk është përfshirë, pasi vendin e tij e merr Arijanet Muriqi, i cili rikthehet pas pezullimit, ndërsa Leard Sadriu dhe Meriton Korenica mbeten sërish jashtë grumbullimit.


