Friday, 24. April 2026
Sport

Rriten shpërblimet për sportistët elitarë, Gonxhja: Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor

GS 24/04/2026 2 Min. Lesezeit

Qeveria ka miratuar një vendim të ri që parashikon rritje të ndjeshme të shpërblimeve për sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre, me efekt që pritet të nisë brenda muajit prill 2026.

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se skema e re synon të krijojë një sistem më të drejtë dhe motivues për sportistët, duke marrë në konsideratë edhe sportet me disa disiplina.

Ndryshimet përfshijnë një rritje prej 75% të mbështetjes për sportet jo olimpike, si dhe një rritje me 25% të shpërblimeve për trajnerët e sportistëve elitarë. Po ashtu, trajtimi ushqimor ditor për sportistët rritet me 43%, duke kaluar nga 3500 lekë në 5000 lekë në ditë.

Ministri theksoi se janë parashikuar edhe rritje të tjera të konsiderueshme, duke përfshirë deri në 65% për stile të veçanta dhe deri në 100% për rezultatet përfundimtare në gara të caktuara. Në disa raste, sipas skemës së re, shpërblimi total mund të arrijë deri në 230%.

Ndryshimet prekin gjithashtu edhe garat ndërkombëtare, ku parashikohet rritje deri në 200% për disa kategori rezultatesh në kampionatet evropiane, ndërsa për kategori të tjera rritja varion nga 50% në 100%. Për lojërat olimpike dhe kampionatet botërore është parashikuar dyfishim i shpërblimeve, ndërsa rritje do të ketë edhe për garat mesdhetare dhe ato ballkanike.

“E para është miratimi i një vendimi qeverie që rrit ndjeshëm mbështetjen për shpërblimet për sportistët elitarë dhe për trajnerët e tyre. Është një vendim që garanton një skemë më të drejtë të shpërblimeve për sportet me disa disiplina dhe që do të ketë efekt nga muaji prill 2026. Rritet në 75% masa e shpërblimit mbështetja për sportet jo olimpike. Rritet me 25% e masës së shpërblimit për trajnerët e sportistëve elitarë. Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor për sportistët elitarë. Ishte 3500 lekë mbështetja në ditë dhe shkon 5000 lekë mbështetja në ditë”, ka thënë mes të tjerash ministri Blendi Gonxhja.

Teilen: