Në vijim të publikimeve mbi raportin “UEFA Grow Market Research”, i prezantuar në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF vijon të sjellë gjetje të rëndësishme që lidhen me mënyrën e ndjekjes së futbollit dhe komunikimit me publikun në Shqipëri.
Raporti i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me Nielsen Sport konfirmon një transformim të dukshëm në sjelljen e tifozëve, si në mënyrën e ndjekjes së futbollit, ashtu edhe në pritshmëritë ndaj institucioneve sportive.
Sipas të dhënave, televizioni mbetet ende kanali kryesor i konsumit të futbollit me 67 %, por vihet re një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin 2016 (83%), duke reflektuar kalimin gradual drejt platformave digjitale. Aktualisht, 36 % e tifozëve ndjekin futbollin online, 29 % lexojnë përmbajtje sportive në internet, ndërsa 28% angazhohen përmes rrjeteve sociale, të cilat kanë shënuar rritjen më të madhe në dekadën e fundit.
Rrjetet sociale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në komunikimin sportiv. YouTube dhe Instagram mbeten platformat më të përdorura me nga 46 %, të ndjekura nga Facebook me 42 %. Ndërkohë, tek grupmosha e re 18–24 vjeç, Instagram arrin 65 % dhe TikTok 46 %, duke treguar qartë zhvendosjen e audiencës drejt përmbajtjeve më vizuale dhe të shpejta.
Në raport evidentohet gjithashtu se rreth 3 në 10 tifozë përdorin kanalet zyrtare të FSHF në Instagram dhe Facebook për të marrë informacion, ndërsa 65% e tyre kanë një opinion pozitiv për komunikimin e institucionit, duke vlerësuar prezencën dhe përmbajtjen e ofruar.
Megjithatë, raporti identifikon edhe hapësira për përmirësim. Arsyet kryesore të mosndjekjes së kanaleve zyrtare lidhen me faktin se 41% e tifozëve marrin informacion nga burime të tjera, 29% nuk shfaqin interes për përmbajtjen e FSHF-së, ndërsa 17% nuk janë të informuar mbi ekzistencën e këtyre kanaleve.
Sa i përket përmbajtjes së preferuar, tifozët kërkojnë më shumë fokus te investimet dhe projektet (49%), akademitë dhe talentet e reja (41%), si dhe informacioni zyrtar (40%), duke reflektuar një kërkesë për transparencë dhe storytelling më të detajuar.
Sipas raportit, përmirësimi i komunikimit me publikun lidhet kryesisht me transparencën në vendimmarrje, angazhimin e drejtpërdrejtë me tifozët dhe rritjen e prezencës në rrjetet sociale dhe media tradicionale, duke forcuar lidhjen mes institucionit dhe komunitetit të futbollit në vend.
Gjetjet e “UEFA Grow Market Research” vijnë si një udhërrëfyes për forcimin e mëtejshëm të strategjisë së komunikimit të FSHF, në një kohë kur interesi për futbollin në Shqipëri mbetet në nivele shumë të larta dhe format e konsumit po ndryshojnë me ritme të shpejta.