Është thuajse e pamundur që të bësh një Europian kaq brilant dhe në limitet e perfeksionit siç bëri Spanja. Ekipi i Luis De La Fuentes mposhti 4 ekipet kampione të botës: Italia që ruan nderin e saj me 4 kupa bote, Gjermania që po ashtu ka aq trofe të tillë sa Italia dhe dy shtetet e tjera si Franca që ka 2 Botërorë dhe Anglia 1.Një poker i kompletuar me fitore edhe ndaj një nënkampione si Kroacia, dhe 2 ekipeve të përballueshme si Shqipëria dhe Gjeorgjia. Ishte një rrugëtim i çmendur dhe sigurisht ndoshta i papërsëritshëm. Spanja u largua nga kompeticioni i Europianit me 7 fitore në 7 ndeshje të luajtura. Rruga drejt suksesit nisi ndaj kampionëve në fuqi, në fazën e grupeve. Më 20 qershor në “Gelsenkirchen” ekipi i kuq dominoi totalisht Italinë dhe këta të fundit humbën me autogolin e Kalafiorit. Madje ishte një rezultat që i rrinte ngushtë Spanjës. Megjithatë, Unai Simonit iu desh që të bëhej protagonist në fund për të larguar disa topa. Fitorja garantoi vendin e parë në fazën e grupeve, por në fakt për ta çuar në anën më të vështirë të tabelës.
Në fazën çerekfinale i priste ekipi i Gjermanisë, edhe ata 4 herë kampionë të botës. Në mesin e një ambienti spektakolar dhe elektrizues pas barazimit të Virtzit, Spanja shpërtheu lotët në Shtutgart pas një goli impresionues të Mikel merinos në fundin e 120 minutave. Ekipi organizator mbeti jashtë dhe zhgënjeu tifozët, ndërsa Spanja vazhdonte rrugën e saj drejt triumfit. Gjysmëfinalja e Mynihut do të kujtohet gjatë për golin e Lamin Jamalit kundër Francës. Këta të fundit nuk ishin aq shumë favoritë si në fillimin e kampionatit. Por edhe pse kështu ishte e frikshme. Sidomos kur shënoi e para gol me Kolo Muaninë.
Por në atë moment u shfaq gjeniu i së ardhmes që të largonte makthet e momentit. Goli i tij i parë i hapi rrugën përmbysjes së Dani Olmos. Finalja ishte kundër shpikësve të futbollit, që prisnin t’i jepnin fund një hegjemonie që zgjat pre 58 vitesh. Kampionët e botës në vitin 1966 vazhdojnë të përndiqen nga mallkimi dhe nuk po gjejnë dot fitoret. Mund të ishte momenti i Herri Kejnit, i munguari i madh i finaleve, ose i Bellingamit pas një viti të jashtëzakonshëm në Madrid. Por ky ishte Europian i Spanjës. Lamin Jamal shërbeu për Nikon dhe ja ku erdhi goli i parë. Palmer trembi pak Spanjën dhe në fund erdhi “pokeri” me golin e frikshëm të Ojarzabalit. Tani është “Finalissima”, sërish kundër kampionëve të Botës.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL