Karl-Heinz Rummenigge, ish-drejtor ekzekutiv dhe anëtar aktual i bordit të Bayernit, ka ngritur sërish shqetësimin për qëndrueshmërinë financiare të futbollit europian. Në një intervistë për BR24, legjenda gjermane paralajmëroi se sistemet aktuale të pagave dhe transferimeve nuk janë të qëndrueshme.
“Nuk mund të vazhdojmë me paga dhe kosto transferimesh që rriten pa ndalim. Kjo nuk është mënyrë serioze për të punuar”, deklaroi Rummenigge, duke theksuar se klubet gjermane, përfshirë Bayernin, nuk mund të konkurrojnë me shumat që ofrojnë klubet angleze.
Sipas tij, problemi kryesor vjen nga investitorë të jashtëm: “Në Angli, klubet janë në pronësi të miliarderëve ose madje të shteteve si Arabia Saudite dhe Katari. Kjo të detyron të konkurrosh me këto entitete, madje edhe në Champions League”. Ai propozoi një reduktim të përqindjes së të ardhurave që shkojnë për paga dhe transferime nga 70% në 60%, ose më mirë, në 55%.
Rummenigge shtoi se një zgjidhje e qëndrueshme duhet të bëhet me dakordësi midis klubeve, lojtarëve dhe agjentëve: “Duhet të ulem së bashku për të diskutuar seriozisht të ardhmen e futbollit. Nuk mund të vazhdojmë me mentalitetin ‘gjithmonë më shumë’”. Ai paralajmëroi gjithashtu se rritja e kostove mund të jetë kundërproduktive për lojtarët dhe agjentët, pasi kërkimi i fondeve të reja dhe zgjerimi i kalendarit nuk është i qëndrueshëm.
Rummenigge kërkon që UEFA dhe FIFA të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur ekuilibrin financiar dhe stabilitetin e futbollit europian.