Shumë fëmijë të magjepsur, muzikë braziliane dhe një atmosferë stadiumi. Kështu u prit Ronaldinjo në skenën e “Festivalit të Sportit”, ndërsa legjenda braziliane përmblodhi edhe njëherë karrierën e tij dhe u ndal sigurisht edhe te Milani, një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij të pabesueshëm në futboll: “Jam i lumtur që e shoh Milanin në krye, sepse kur njerëzit e shikojnë Milanin ata gjithmonë presin një lojë të bukur”.
TITULLI KUQEZI – Kampioni i Europës me Barçën në 2006, me armiqtë e tij në “Bernabeu” që e duartrokitën fillimisht pas një goli kundër Realit, mbërriti në Milano në vitin 2008 dhe u largua në janar 2011, por i pranishëm në skuadrën e titullit me Alegrin:
“Milani është një nga skuadrat më të rëndësishme në botë dhe të gjithë donin të luanin atje. Të gjithë më flasin ende për golin tim në derbi dhe ndihem sikur një pjesë e skudetos së vitit 2011 është imja. Ata kishin mbledhur shumë lojtarë të mëdhenj, Gatuzo, Pirlo, Maldini, Bekham dhe të tjerë: ishte e mrekullueshme. Ançeloti, një nga më të fortët në histori”.
EMRI – Ronaldinjo mund të ishte një Ronaldo i tretë në botën e futbollit, po aq shkëlqyes sa edhe dy të tjerët: “E kisha emrin Ronaldo edhe në bluzat e të rinjve, por kur mbërrita në kombëtaren e madhe të Brazilit, ishte fenomeni Ronaldo dhe unë u bëra Ronaldinjo, isha më i vogël. Kam fituar Kupën e Botës 2002 dhe mbaj mend ndeshjen kundër Anglisë: shënova, asist dhe karton i kuq, por për fat fituam. Isha unë, Ronaldo dhe Rivaldo, tetë të tjerët mbronin.
Pas Kupës së Botës, Barcelona ishte në krizë. Ishte skuadra e idhujve të mi: Ronaldo, Rivaldo, Maradona. Goli im i parë ishte kundër Seviljës, në një ndeshje të çmendur që filloi në pesë të mëngjesit. Dhe prej andej gjithçka ishte e lehtë. Edhe në vitin 2005, kur pashë të dilte një djalë i vogël: Mesi. Lindi një miqësi e madhe”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL