Në shenjën e numrit 10. Kenan Jildiz shënoi golin e tij të parë në derbin e Torinos, pikërisht në ditën kur Alesandro Del Piero fiku qirinjtë e 50 vjetorit të tij.
Legjenda bardhezi njihet edhe si “pronari i numrit 10” të fanellës së Juves që aktualisht mbahet nga talenti turk. Pas urimeve në rrjetet sociale, Jildiz dhe Del Piero kanë folur edhe privatisht mes njëri-tjetrit, për të treguar se raporti mes tyre shkon më tej se vetëm admirimi në futboll. Edhe në jetën e tyre private, të dy lojtarët kanë shumë ngjashmëri dhe Jildiz duket si i destinuari për të bërë atë që më parë e ka bërë Del Piero.
GOLAT– Aleks dinte si të shkëlqente në mbrëmjet e mëdha me Juven, ndërsa Jildiz është duke u përmirësuar për të bërë të njëjtën gjë. Jo vetëm goli në debutimin e tij në Ligën e Kampioneve, me një goditje perfekte “alla” Del Piero, por edhe dopieta në San Siro ndaj Interit, vendi ku Del Piero “shpiku” festimin e tij me gjuhën jashtë. Për të treguar më shumë ngjashmërinë, Jildiz nuk di të shënojë vetëm me goditjen “alla” Del Piero. Ai ka shënuar gjithashtu 2 gola me të majtën dhe një me kokë, edhe pse s’është pika e tij e fortë.
TIFOZËT- Talenti dhe thjeshtësia janë dy ingredientë esencialë për të bërë tifozët të dashuron me ty. Del Piero ishte një nga lojtarët më të dashur për nga tifozët bardhezi, ndërsa Jildiz duket se është në të njëjtën rrugë. Me pastërtinë e tij, por edhe sjelljen e një kampioni, Jildiz ka bërë tifozët ta dashurojnë. Pavarësisht gjithë këtij popullariteti, Jildiz njësoj si Del Piero mbetet një djalë modest dhe me këmbë në tokë.
PROFESIONIZMI DHE REKORDET- Jildiz është i ri, por e ka kuptuar që tani se në futboll nevojitet disiplinë e hekurt. Tiago Mota nuk ia imponon lojtarëve të qëndrojnë në hotelin e Juventusit, por Jildiz preferon të qëndrojë aty dhe të ushqehet në të njëjtin vend. Profesionist, njësoj si Del Piero që ka rekordin e prezencave dhe golave te bardhezinjtë. Kenani i vogël ka ndjerë shijet e para të rekordeve. Ai është bërë lojtari i huaj më i ri që shënon për Juventusin, si dhe lojtari më i ri që shënon dygolësh në derbin e Italisë ndaj Interit.
FAMILJA- Aleks i detyrohet shumë mamasë së tij Bruna, babait Xhino dhe vëllait Stefano që e kanë mbështetur në udhëtimin e tij futbollistik. Të gjithë bashkë e kanë ndihmuar mos të humbasë kontaktin me realitetin. Kenan nga ana tjetër është djalë i vetëm dhe në Torino jeton me mamanë Beate dhe babain Engin. Njësoj si Del Pieron, edhe Jildiz e ndjekin prindërit në gjërat që bën, për ta mbajtur me këmbë në tokë dhe mos ta lejojnë atë të humbasë kontaktet me realitetin. Në të dyja rastet prindërit i kanë kultivuar të njëjtën kulturë punë.
GOLFI- Jashtë fushave të futbollit, Del Piero shpenzonte shumë kohë duke luajtur golf pasi ishte shumë i apasionuar. Jildiz e ka zbuluar këtë pasion kohët e fundit në Torino dhe po i kushton kohën e nevojshme kur është i lirë dhe dëshiron të argëtohet.
FANELLA- Pika e fundit e përbashkët është padyshim numri në fanellë. Del Piero i ka dhënë kuptim numrit 10 të Juventusit, ndërsa stafeta është tek Jildiz, që ka ende shumë punë, por duket në rrugën e duhur.
PANORAMASPORT.AL