Me Mohamed Salah dhe 9 mijë tifozë në “Old Trafford”. Jyrgen Klop mezi po e pret duelin me rivalët e Mançester Junajtid sot në Kupën FA, për të kërkuar një biletë në gjysmëfinale. “Mo është padyshim gati. Ibrahima Konate nuk u stërvit, duhet të shohim. Do të jetë një garë e ngushtë që ndoshta do ta humbasim. Por ju nuk e dini”, tha trajneri i Liverpulit në konferencën për shtyp.
Ai shtoi se mezi po e pret duelin me “djajtë”, ndërsa i pyetur nëse do ta shijojë atë, u përgjigj: “Mezi po e pres. Nuk jam i sigurt që ta shijoj është fjala e duhur. Ne mund të marrim 9.000 njerëz në ‘Old Trafford’. Ne do të përpiqemi të përgatitemi sa më mirë. Përsëri ne kemi një situatë ku kemi luajtur të enjten dhe Junajtid ka pasur një javë të plotë për t’u përgatitur. Erik ten Hag është një menaxher vërtet i mirë dhe di si të luajë kështu që ai do të paraqesë disa sfida, por ne duhet të jemi gati gjithsesi”.
Për sfidën e së dielës 56-vjeçari shtoi më tej: “Unë nuk di shumë për sezonin e tyre, por pashë disa lojëra vërtet të mira. Ata kanë disa probleme dëmtimi, por shumë cilësi. Ndoshta Rasmus Hojlund është përsëri në dispozicion? Ndoshta Uan-Bisaka është pranë? Kjo padyshim që bën një ndryshim gjithashtu, do ta shohim të dielën. ‘Old Trafford’ gjithmonë ka qenë një vend i vështirë për ta vizituar. Do të thotë gjithçka për të dy grupet e tifozëve, ne e dimë këtë. Ne përpiqemi ta tregojmë këtë edhe në fushë me punën që bëjmë, por ju nuk e dini kurrë. Nuk ka garanci, ka vetëm mundësi. Ne jemi vërtet gati ta provojmë”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL