Wednesday, 13. May 2026
Sport

Samadrexha e Shqiponja përballen në hendboll për hapin e parë drejt titullit 

GS 13/05/2026 2 Min. Lesezeit

Finalja e parë e play off-it në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave do të zhvillohet sot nga ora 20:00, ku do të përballen Samadrexha dhe Shqiponja, në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

Të dyja këto skuadra edicionin e rregullt garues e përfunduan në dy pozitat e para. Si Samadrexha ashtu edhe Shqiponja synojnë ta bëjnë hapin e parë drejt titullit që e presin gjatë, derisa skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione e Kosovës në hendboll.

Samadrexhaset i fituan të gjitha 16 ndeshjet në pjesën e rregullt të garës. Në gjysmëfinale të play off-it fituan 35:26 dhe 36:30 ndaj Ferizajit, kurse skuadra gjakovare, Shqiponja, ishte e dyta në stinorin e rregullt, me bilanc prej 13 fitore e tri humbje. Në gjysmëfinale të garave shtesë, hendbollistet e Shqiponjës fituan 25:21 dhe 28:24 ndaj atyre të Istogut.

Ndërkohë Shqiponja e ka fituar titullin e vetëm deri më tani në edicionin 2017/18, kurse Samadrexha titullin e fundit e ka fituar në edicionin 2006/07. Atëbotë skuadra nga Samadrexha e mbante emrin e Vicianet.

Istogu e ka fituar titullin e kampionit në katër vitet e kaluara. Por tani Samadrexha apo Shqiponja do të kurorëzohen me trofeun kryesor të hendbollit kosovar.

 

Teilen: