San Antonio Spurs ka hedhur një hap të madh drejt finales së Konferencës Perëndimore, pasi triumfoi bindshëm ndaj Minnesota Timberwolves me rezultat 126:97 dhe kaloi në epërsi 3:2 në seri.
Skuadra nga Teksasi dominoi pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, duke treguar superioritet në të dy anët e parketit dhe duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit për rikthim.
Në qendër të suksesit ishte sërish sensacioni francez Victor Wembanyama, i cili zhvilloi një tjetër paraqitje spektakolare me 27 pikë, 17 kërcime dhe pesë asistime.
Mbështetje të madhe ai mori edhe nga Johnson me 21 pikë, ndërsa De’Aaron Fox kontribuoi me 18 pikë, pesë asistime dhe katër kërcime.
Paraqitje solide pati edhe Castle me 17 pikë, ndërsa Harper dhe Vassell shtuan nga 12 pikë secili për Spurs, që tregoi forcën kolektive në një ndeshje shumë të rëndësishme të serisë.
Te Minnesota, më efikasi ishte Anthony Edwards me 20 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e rëndë. Ndihmë dhanë edhe McDaniels e Randle me nga 17 pikë secili, ndërsa Dosunmu kontribuoi me 16 pikë dhe nëntë kërcime.
Tani seria zhvendoset në Minnesota, ku San Antonio Spurs do të ketë mundësinë të vulosë kualifikimin në finalen e madhe të Perëndimit.