Derbi i madh i Milanos mes AC Milanit dhe Interit, që zhvillohet të shtunën mbrëma, pritet të luhet para tribunave të mbushura plot, për herë të parë pas më shumë se pesë vitesh.
Sipas raportimeve të gazetës italiane La Gazzetta dello Sport, interesimi për këtë përballje ka qenë jashtëzakonisht i madh, ndërsa atmosfera është shtuar edhe më shumë pas prezantimit të projektit të stadiumit të ri, i cili pritet ta zëvendësojë San Siron pas pesë vitesh.
Për derbin e radhës, stadiumi legjendar San Siro do të hapë të gjithë kapacitetin e tij, duke mundësuar shitjen e numrit maksimal të biletave, transmeton ORAinfo.
Me këtë rast, do të hiqen edhe barrierat mbrojtëse në dy sektorë të tribunave, përkatësisht në Terzo Anello Blu (tribuna jugore) dhe Terzo Anello Verde (tribuna veriore). Kështu, stadiumi do të jetë i mbushur në kapacitetin e tij të plotë.
Herën e fundit që San Siro ishte mbushur plot në një derbi të tillë ishte më 17 mars 2019, kur në stadium ishin të pranishëm gjithsej 77.479 spektatorë.
Për këtë ndeshje do të vihen në dispozicion edhe 2.350 ulëse shtesë, të cilat ishin larguar nga kapaciteti i stadiumit gjatë verës së vitit 2019, për shkak të shqetësimeve lidhur me dridhjet e ndier në disa sektorë të tribunave.
Vendimi ishte marrë nga Komisioni Mbikëqyrës Provincial dhe ishte zbatuar nga autoritetet e qytetit të Milanos dhe kompania MI Stadio, pas vlerësimeve teknike ku kishte marrë pjesë edhe Universiteti Politeknik i Milanos.
Megjithatë, masa nuk ishte konsideruar si pasojë e një problemi të drejtpërdrejtë të sigurisë, por si një vendim menaxherial, me qëllim shmangien e shqetësimit dhe frikës te tifozët për shkak të dridhjeve të ndier në ato pjesë të stadiumit.
Heqja e këtyre kufizimeve do të vlejë për ndeshjet e kampionatit italian dhe Kupës së Italisë. Ndërkohë, në garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Evropës për Milanin dhe Ligën e Kampionëve për Interin, barrierat do të vazhdojnë të vendosen në qendër të tribunave të tifozëve mysafirë.
Për shumë vite, tifozët që kanë vizituar San Siron janë mësuar t’i shohin tre sektorët e mbuluar me perde blu dhe të gjelbra në nivelin e tretë të tribunave. Këtë herë, ato nuk do të jenë aty.
San Siro po i afrohet fundit të një epoke, por para lamtumirës, stadiumi legjendar pritet të përjetojë edhe një tjetër natë të madhe futbolli, me një derbi që premton atmosferë spektakolare. /ORAinfo/