Anësori i Mançester Junajtid dhe Anglisë, Xheidon Sanço, i është bashkuar ish-klubit, Borusia Dortmund, në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit 2023-24. 23-vjeçari u transferua në “Old Trafford” në një marrëveshje prej 73 milion £ nga klubi gjerman Dortmund në korrik 2021.
![]()
Ai nuk ka luajtur për Junajtid që nga 26 gushti, pasi u përplas me trajnerin Erik ten Hag dhe u stërvit larg ekipit të parë që nga shtatori. Kontrata e huasë nuk përmban asnjë opsion për blerje.
“Kur erdha në dhomën e zhveshjes sot, m’u duk sikur po kthehesha në shtëpi”, tha Sanço.
“E njoh klubin brenda dhe jashtë, kam qenë gjithmonë shumë i afërt me tifozët këtu dhe asnjëherë nuk kam humbur kontaktet me përgjegjësit.
Mezi pres të shoh sërish shokët e skuadrës, të dal në fushë, të luaj futboll me një buzëqeshje në fytyrë, të përgatis gola, të shënoj gola dhe të ndihmoj për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”, vijoi anglezi duke lëshuar thumbime me nënkuptimin e fjalëve për Junajtid.
Sanço është tashmë në Gjermani dhe pasi ka përfunduar testet mjekësore të mërkurën, pritet të bashkohet me kampin stërvitor të klubit në Marbella.
![]()
Dortmundi do të paguajë 3.5 milionë euro (3 milionë £), me 4 milionë euro shtesë (3.4 milionë £), të cilat i nënshtrohen paraqitjeve, progresit në Ligën e Kampionëve dhe kualifikimeve.
Marrëveshja mbulon pjesën më të madhe të pagave të Sanços, dhe nëse shpërblimet paguhen plotësisht, do të ishte më shumë se 100% e pagës së Sanços deri në fund të sezonit.
Sanço më parë kaloi katër sezone me klubin e Bundesligës nga viti 2017, duke shënuar 50 gola në 137 paraqitje.
Lëvizja e tij në “Old Trafford” e ka parë atë të luftojë për formë dhe qëndrueshmëri, duke shënuar 12 gola në 82 paraqitje.
Marrëdhënia e tij me Ten Hag u përkeqësua pasi ai u hoq nga skuadra për humbjen e shtatorit ndaj Arsenalit, me holandezin që deklaroi se ishte për shkak të performancës së tij në stërvitje.
Sanço i hodhi poshtë këto pretendime dhe tha në mediat sociale se po e bënin “kokë turku” dhe më vonë refuzoi të kërkonte falje për komentet e tij, të cilat çuan në internimin e tij.
“Xheidon është një lojtar me diferencë absolute dhe mezi pres ta shoh përsëri me fanellën verdhë e zi së shpejti”, shtoi drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl.
Dortmundi është i pesti në Bundesligë dhe rifillon kampionatin në Darmstadt më 13 janar pas një kampi të shkurtër stërvitor dimëror në Marbella, Spanjë.
PANORAMASPORT.AL

