Maurizio Sarri është zyrtarisht trajneri i ri i Lazios. Lajmin e konfirmoi vetë drejtori sportiv i klubit bardhekaltër, Angelo Fabiani, i cili njoftoi se tekniku toskan ka firmosur kontratën që e lidh me kryeqytetasit deri në vitin 2027, me mundësi zgjatjeje deri më 2028 nëse arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve në një nga dy sezonet e ardhshme.
“Lëre çfarë thuhet në Firenze. Sarri ka firmosur. Kam kontratat unë. Ka firmosur edhe presidenti Lotito. Të enjten vjen për të programuar sezonin. Është e mbyllur. 100% e sigurt.”
Kështu përfundon aventura e shkurtër e Marco Baronit në stolin e Lazios, me klubin që e falënderoi zyrtarisht për profesionalizmin dhe angazhimin, duke i uruar suksese në të ardhmen.
Sarri rikthehet në pankinën bardhekaltër pas më shumë se një viti pushim, pasi kishte dhënë dorëheqjen në mars të vitit 2024. Rikthimi i tij konsiderohet si një hap i rëndësishëm për të nisur një projekt të ri dhe më ambicioz në ‘Olimpico’.
Kërkesat e Sarr-it dhe merkatoja
Sarri do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, plus bonuse: 500 mijë euro në rast kualifikimi në Europa League dhe 1 milion në rast kualifikimi në Champions League.
Ai ka kërkuar garanci teknike nga klubi dhe ndikim në strategjinë e merkatos.
Kërkesa e parë është ruajtja e shtyllave të skuadrës si Zaccagni, Rovella, Guendouzi dhe Romagnoli, megjithëse e ardhmja e Guendouzi-t mbetet e pasigurt.
Sarri ka insistuar edhe për përforcime të rëndësishme: një mesfushor që shënon gola (duke qenë se Rovella dhe Guendouzi bashkë kanë vetëm një gol në sezonin e fundit) dhe një sulmues qendre të ri.
Tani që kthimi i Komandantit është zyrtar, Lazio mund të nisë konkretisht punën për ndërtimin e një skuadre konkurruese. Tifozët bardhekaltër e kanë tashmë sërish udhëheqësin e preferuar në stol.