Sassuolo ka shënuar një fitore të madhe 2-0 ndaj AC Milan, në ndeshjen e javës së 35-të në Serie A.
Futbollisti shqiptar Ardon Jashari u paraqit titullar për Milanin, por ishte i pafat te goli i parë, që erdhi pas një gabimi të tij.
Sassuolo kaloi në epërsi që në minutën e 5-të me Domenico Berardi, ndërsa epërsinë e dyfishoi në fillim të pjesës së dytë me Armand Laurienté në minutën e 47-të.
Situata për Milanin u vështirësua edhe më shumë në minutën e 24-të, kur Fikayo Tomori u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë, duke i lënë mysafirët me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të takimit.
Jashari u zëvendësua në minutën e 66-të, ndërsa portieri Arijanet Muric qëndroi në pankinë për Sassuolon pa u aktivizuar.
Pas kësaj fitoreje, Milani mbetet në vendin e tretë me 67 pikë, ndërsa Sassuolo ngjitet në pozitën e nëntë me 49 pikë.