Anglia ka eksploruar një sistem tre vetë në mbrojtje përpara ndeshjes së vështirë të së shtunës në çerekfinalen e “Euro 2024” kundër Zvicrës.
Mbetet për t’u parë nëse Garet Sauthgejt është i gatshëm të ndryshojë nga sistemi 4-2-3-1 që ai ka përdorur gjatë katër ndeshjeve të ekipit të tij në Gjermani. Por fakti që skuadra është stërvitur me një formacion me tre qendërmbrojtës këto dy ditë, është një tregues se ai mund të bëjë një ndryshim në Dyseldorf. Anglia e mbylli ndeshjen e 1/8-ave ndaj Sllovakisë fundjavën e kaluar me skemën 3-5-2 gjatë kohës shtesë.
Dhe Sauthgejt eksperimentoi një qasje të ngjashme në stërvitje në bazën e tyre në Vaimar të mërkurën. Koha do të tregojë nëse Sauthgejt do të zbatojë një ndryshim formacioni që nga minuta e parë e përballjes së kësaj fundjave kundër zviceranëve, apo skuadra po përgatitet për një ndryshim në modul në varësi të rezultatit. Nëse Anglia rreshtohet me tre qendërmbrojtës, ka të ngjarë që Xhon Stons, Kajl Uoker dhe Ezri Konsa të formojnë treshen e prapavijës, me Mark Guehin e pezulluar.
Zvicra përdor një sistem me tre mbrojtës qendre dhe përballja me skuadrën e Murat Jakinin mund të jetë një motiv për ndryshimin e skemës. Përdorimi i një mbrojtje me tre vetë ishte dikur formacioni i preferuar i Sauthgejtit dhe sistemi u siguroi atyre renditjen në vendin e katërt në Kupën e Botës 2018. Ai gjithashtu preferoi një mbrojtje me tre vetë edhe në “Euro 2020”.
Megjithatë, ende nuk është 100% e sigurt nëse trajneri nuk do të zgjedhë t’i qëndrojë besnik sistemit 4-2-3-1, në të cilin ai është mbështetur deri më tani gjatë turneut dhe eksperimentet në stërvitje mund të jenë thjesht një taktikë për t’u përdorur gjatë ndeshjes nëse ata do të jenë duke vuajtur për të thyer zviceranët.
Por një ndryshim i mundshëm taktik është një zhvillim intrigues përpara ndeshjes së kësaj të shtune. Kur Anglia mbërriti në Gjermani, nuk e kishte aspak në planet e saj rreshtimin me tre vetë pas. Ndryshimi i skemës mund të bëjë që Foden të spostohet nga krahu i majtë në qendër.