Garet Sauthgejt është i vendosur t’i besojë Herri Meguajërit për ndeshjen e sotme kualifikuese të Anglisë kundër Ukrainës. Makthi i qendërmbrojtësit te Mançester Junajtidit vazhdon, pasi ai ka regjistruar vetëm një ndeshje për skuadrën e Erik ten Hagut këtë sezon. Dhe ajo erdhi në minutën e 67-të, në humbjen 3-1 ndaj Arsenalit të dielën.
Megjithatë, çuditërisht tek Anglia, ai do të jetë qendra e mbrojtjes sot kundër Ukrainës. Përkrah tij pritet të rreshtohet Mark Guehi, mbrojtësi 23-vjeçar i Kristal Palasit, e njëjta dyshe që luajti në fitoren 4-0 ndaj Maltës në qershor.
Anglia është pa Stonsin e dëmtuar, ndërsa Tajron Mings duket se e ka humbur sezonin pas dëmtimit të ligamenteve të gjurit. Alternativa tjetër, Konor Kodi tani po luan për Lestërin në Championship dhe Sauthgejt nuk dëshiron të zgjedhë titullarin e tij nga kjo ligë.
Edhe pse Guehi ka vetëm katër ndeshje me kombëtaren, alternativat janë edhe më pak me përvojë. Fikajo Tomori i Milanit ka luajtur vetëm tre herë për Anglinë, Ljuis Dank i Brajtonit një herë dhe Levi Koluill i Çelsit nuk e ka bërë ende debutimin e tij.
30-vjeçari Meguajër, startoi në Kupën e Botës pavarësisht se luante rrallë për “djajtë e kuq”, por ai është i ndërgjegjshëm se mund të humbasë vendin e tij nëse mbetet jashtë fushës.
FORMACIONET E MUNDSHME
UKRAINË (4-3-3): Lunin; Konoplia, Zabarni, Krivtsov, Mikolenko; Sidorçuk, Stepanenko, Zinçenko; Jarmolenko, Vanat, Tsigankov
Trajner: Serhij Rebrov
ANGLI (4-3-3): Pikford; Uoker, Guehi, Meguajër, Çiluell; Henderson, Rajs, Bellingam; Saka, Kejn, Rashford
Trajner: Garet Sauthgejt
PANORAMASPORT.AL