Një ditë pas moskualifikimit të tretë radhazi në Botëror, e mposhtur me penallti nga Bosnje-Hercegovina në finalen e “play off”-it, Italia u përball me kritika të forta nga Paul Scholes. Ish-mesfushori i Manchester United dhe Anglisë nuk e “kafshoi gjuhën” fare: “Italia është Arsenali i kombëtareve. Një skuadër, shpresat e së cilës bazohen te lavditë e së kaluarës”.
Një krahasim i ashpër, por domethënës. Për vite, Arsenali është parë si një klub i madh që jetonte mbi historinë e vet, pa arritur të rikthehej në majë. Tani kjo etiketë i vihet një prej kombëtareve më të titulluara në botë.
Scholes shkoi më tej: “Kombëtarja italiane nuk ka një vizion të qartë, nuk luan si skuadër. Gjithçka bazohet në veprime individuale dhe ka paraqitje shumë të dobëta. Kjo nuk është Italia e viteve 1990 apo e fillimit të vitit 2000. Nuk ka shpirtin e Maldini, Cannavaro, Pirlo, Totti apo Buffon”.