I fuqishëm, i palodhur dhe i shpejtë. Rasmus Hojlund konsiderohet si miniera e arit e Serisë A, një lojtar potencialisht shkatërrues, që mund të gjenerojë pasuri të jashtëzakonshme për futbollin italian dhe Atalantën.
Vetëm vitin e kaluar, bergamaskët vendosën të blinin sulmuesin danez, pasi e panë atë të luante për Shturmin e Gracit për 17 milionë euro (14.6 milionë paund). Sot, vlera e tij është rritur në 100 milionë euro (86 milionë paund) dhe Junajtidi po e synon atë këtë verë. Hojlundi konsiderohet nga tifozët italianë si kopja më e afërt e Erling Halandit për shkak të forcës dhe shpejtësisë së tij të jashtëzakonshme fizike. Por cilat janë sekretet e 20-vjeçarit.
TREN EKSPRES – Duke luajtur ndaj Napolit sezonin e shkuar, danezi regjistroi shpejtësinë rekord 34.35 km/h. Shpejtësia është kërcënimi i tij kryesor për të depërtuar në çdo mbrojtje.
VRASËSI – Me tipare fëmijërore në fytyrë, në stërvitjet e tij të para me Atalantën askush nuk e njihte, ndërsa mbante edhe një bisht, që e bënte të dukej si një nga të rinjtë që ndjekin seancat stërvitore të ekipit të parë për të plotësuar numrat. Por që kur ka ardhur në Itali, ai ka fituar masë muskulore dhe ka demonstruar aftësi fizike superiore ndaj kujtdo në moshën e tij.
NOTI – Babai i Hojlundit, Anders, ka rrëfyer karrierën e djalit të tij në sport në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke zbuluar: “Djali im gjithashtu praktikonte tenisin, badminton dhe mbi të gjitha notin. Ai ishte shumë i mirë në notin në pishinë, aq sa kur iu desh të ndalonte për të luajtur futboll, nuk ishte e lehtë, sepse i donte të dyja sportet”.
I FIKSUAR ME CR7-ën – Hojlundi është i fiksuar pas fizikut të Kristiano Ronaldos. “Një ditë më mori mënjanë dhe më tha se do ta imitonte në çdo gjë. Jo vetëm në fushë”, tha babai i tij për dëshirën e të birit për të ndjekur shembullin e portugezit. “Pas dy ditësh e gjej atje, në dysheme, duke bërë ushtrime barku dhe ulje-ngritje”.
NUMRI 17 – Hojlund është shumë supersticioz dhe gjithmonë ka dashur të veshë fanellën me numrin 9. Megjithatë, ai rrallë e ka realizuar dëshirën e tij dhe kur mbërriti tek Atalanta, atë numër e mbante Luis Muriel. Hojlundi ka mbajtur më parë numrin 28, 45 dhe më pas 17, i cili është bërë numri i tij me fat.
Në Itali, numri 17 u vesh nga ikona e Napolit, Marek Hamshik dhe David Trezege, njeriu që shënoi mbi 150 gola për Juven. Hojlundi i adhuron të gjithë lojtarët e mëdhenj të dikurshëm dhe tani e ka bërë numrin 17 të tijin. Aktualisht në “Old Trafford” këtë fanellë e mban Fred. Nëse braziliani largohet dhe Hojlund vjen, duhet të jetë një vendim i lehtë se cilin numër do të zgjedhë.
PANORAMASPORT.AL