Friday, 13. March 2026
Sport

Selektori i hendbollit Ostlund: Na presin dy ndeshje sfiduese

GS 13/03/2026 2 Min. Lesezeit

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës pasi e publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet e javës së ardhshme me Bosnjë-Hercegovinën.

Ndeshet i takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027. Ndeshja e parë është të enjten në Tuzla, ndërsa ndeshja e kthimit të dielën e javës së ardhshme në Prishtinë.

Në Kombëtare janë rikthyer lojtarë të shumtë e të rëndësishëm, ndërsa emër i ri është Olt Kabashi.

Por së fundi janë konfirmuar edhe disa mungesa.

“Kemi disa mungesa, por mendoj se ende kemi ekip që mund ta sfidojë Bosnjën në një ditë të mirë”, ka thënë suedezi Ostlund.

Nëse e eliminon Bosnjë-Hercegovinën, Kombëtarja jonë do të ketë vetëm edhe një pengesë drejt Botërorit.

“Mendoj se kemi shansa të avancojmë. Bosnja natyrisht është favorite, por kam besim të fortë në ekipin tim dhe do të bëjmë çdo gjë të mundur”.

Në raundin e parë kualifikues, Kombëtarja jonë e eliminoi Britaninë e Madhe.

Bosnjë-Hercegovina megjithatë i takon nivelit dukshëm më të lartë evropian.

“Është ekip fizik. Ka lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha dhe ka skuadër të gjerë. Kështu që do të jetë sfidë që ta mposhtim Bosnjë-Hercegovinën”, thotë Ostlund.

Për përzgjedhësin suedez grumbullimi që fillon të dielën do të jetë i treti me Kosovën.

“Jam i kënaqur. Herën e parë kur takova ekipin e kemi mposhtur Britaninë e Madhe dy herë. Ishte hera e parë për mua që drejtova një ekip nga Ballkani dhe e kam shijuar shumë. Në kampin e dytë i kishim dhjetë lojtarë të lënduar, kështu që kam pasur rastin të takojë shumë lojtarë të rinj”, ka thënë Jesper Ostlund.

Teilen: