Sergio Busquets ka rikthyer te Barcelona, por këtë herë në një rol të ri. Ish-mesfushori i katalanasve është bërë pjesë e stafit teknik të Barça Atlètic, ku do të punojë si ndihmës i trajnerit Juliano Belletti.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Busquets ka nisur një kapitull të ri në futboll, duke u afruar me pankinën e klubit ku kaloi 15 sezone me ekipin e parë.
Sipas mediave spanjolle, Busquets ka nisur punën këtë të hënë me Barça Atlètic dhe do të jetë pjesë e stafit të Bellettit, ndërsa njëkohësisht po ndjek kursin për t’u pajisur me licencën e trajnerit.
Roli i tij do të lidhet edhe me zhvillimin e futbollistëve të rinj të Barcelonës. Përvojën e fituar gjatë karrierës së gjatë si mesfushor, Busquets tashmë do ta përcjellë te lojtarët e rinj, në hapin e parë të tij drejt një karriere në pankinë.
Busquets u largua nga Barcelona në vitin 2023, pas 15 vitesh me ekipin e parë, ndërsa karrierën si futbollist e përfundoi te Inter Miami, ku qëndroi për dy sezone e gjysmë. Tashmë, tre vite pas largimit nga Barça, ai është rikthyer në klub në një tjetër pozicion.
Me fanellën e Barcelonës, Busquets zhvilloi 722 ndeshje dhe fitoi 32 trofe, përfshirë nëntë tituj të La Ligës dhe tri Liga të Kampionëve. Me Spanjën, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2012.
Tani, ish-kapiteni i Barcelonës do të nisë rrugëtimin e tij si trajner pikërisht te klubi ku u formua dhe zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Busquets do të punojë krah Bellettit, ndërsa vazhdon përgatitjet për licencën e trajnerit.