Pas sfidës miqësore mes Selta Vigos dhe Al-Nasr, një vëmendje të madhe e mori Kristiano Ronaldo, i cili me anë të një interviste për “ESPN”, foli për kampionatin arab.
Ai u shpreh se ishte efekti “CR7” që i hapi rrugën klubeve arabe që të transferonin lojtarë të kalibrit të lartë. Gjithashtu portugezi nuk i kurseu as “kunjat” për rivalin e tij, Leo Mesi, duke u shprehur se “Saudi League” është më e fortë se “MLS”.
“Nuk do të rikthehem në Europë, dyert janë përfundimisht të mbyllura. Jam 38 vjeç. Gjithashtu futbolli europian ka humbur shumë nga kualiteti i saj. I vetmi kampionat që ka vlerë është Premier Liga, është shumë më lartë se kampionatet e tjera.
Saudi League është më e mirë dhe më e fortë se MLS. Jam 100% i sigurt se nuk do të rikthehem në asnjë klub europian. Kam hapur rrugën në ligën arabe dhe tani të gjithë lojtarët po vijnë këtu.
Vendimi për t’u bashkuar me klubet arabe ishte 100% vendimtar për të sjellë lojtarë të kalibrit të lartë. Është fakt. Kur unë u bashkova me Juventusin, Seria A ishte e vdekur dhe pasi firmosa ajo u ringjall. Kudo që Kristiano ka shkuar, ai ka sjellë një interes të lartë.
Ata më kritikuan mua pse erdha në kampionatin arab, por çfarë po ndodh tani? I kam hapur rrugën të gjithë lojtarëve për të ardhur këtu.
Në një vit, shumë e më shumë lojtarë të kalibrit të lartë do të vijnë në Arabinë Saudite. Në një vit, kampionati arab do t’ia kalojë atij turk dhe holandez. Lojtarët që kanë ardhur nuk janë si ata që tha presidenti i UEFA-s. Zhota dhe Ruben Neves janë lojtarë të rinj”, u shpreh Ronaldo.
Përgatiti: JON LUMANI – PANORAMASPORT.AL