Sami Sermaxhaj më nuk është selektor i Kombëtares së Kosovës në futboll në konkurrencë të femrave.
Këtë e ka bërë të ditur Sermaxhaj të enjten përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai ka falënderuar FFK-në dhe presidentin e saj, Agim Ademi kurse ka shkruar se ka pasur mbështetje e besim gjatë gjithë periudhës si selektor.
Sermaxhaj, gjithashtu ka falënderuar edhe stafin e tij dhe futbollistet.
“Puna me to ishte kënaqësi e jashtëzakonshme dhe privilegj shumë i madh për mua. Jam krenar për përkushtimin, profesionalizmin dhe shpirtin e tyre luftarak, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, ka shkruar Sermaxhaj.
Sermaxhaj mori drejtimin e Kosovës te femrat në muajin tetor të vitit 2024, ndërsa tani pritet të kthehet si trajner në futbollin e klubeve.
Sipas të gjitha gjasave, Sermaxhaj do ta marrë drejtimin e Ballkanit, ekip që të mërkurën ndau rrugët me trajnerin kroat Mislav Karoglan.