Trajneri i skuadrës së Gjilanit për grupmoshat U21, Genc Sermaxhaj konsideron se themelimi i Ligës U21 po del të ketë qenë një vendim shumë i mirë nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai ka thënë se kjo ligë e ka pasuruar jashtëzakonisht shumë futbollin e Kosovës, por edhe po mundëson zhvillimin më të shpejtë të talentëve të rinj në këtë sport.
Përvoja që lojtarët po e marrin në këtë ligë, po u mundëson lojtarëve që të bëjnë kapërcimin më të shpejtë tek skuadrat elitare të futbollit kosovar.
Sermaxhaj: Liga U21 tejet e dobishme për futbollin e Kosovës
“Liga U21 është shumë e qëlluar në futbollin e Kosovës që është bërë për herë të parë ngase shumica prej nesh kemi qenë skeptik për zhvillimin e kësaj lige sepse e dimë që e dimë që klubet kanë vështirësi financiare dhe fokusin e tyre e kanë tek ekipet e para, por meqë është duke u zhvilluar liga po e shohim që ka shumë dobi, sidomos për futbollistët e rinj të cilët janë duke u zhvilluar në këtë moshë duke fituar një përvojë, duke u pjekur dhe më pastaj herë pas here kemi pasur edhe futbollistë që i kemi dërguar tek ekipi i parë dhe aty kanë performuar jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Sermaxhaj.
Duke folur për KosovaPress, Sermaxhaj ka bërë të ditur se lojtarët që luajnë në këtë ligë nuk janë të gjithë të pajisur me kontrata profesionale, por që në bazë të paraqitjeve të tyre, ata edhe mund të arrijnë që ta bindin klubin për të nënshkruar me ta.
Sermaxhaj: Përmes kësaj lige futbollistët mund të përfitojnë kontrata profesionale
“Disa prej futbollistëve janë me kontrata, ata që bëjnë stërvitje me ekipin e parë dhe herë pas here paraqiten tek këta, pra janë pikërisht ata futbollistë që i përmenda pak më parë. Disa të tjerë janë në proces dhe ata i kemi përcjellë vazhdimisht ndeshje pas ndeshje me performanca e mira që i kanë bërë, jemi në bisedime me krerët e klubit që ata më pastaj në fund të kësaj sezone t’i inkuadrojmë tek ekipi i parë dhe të bëjnë kontrata sepse disa prej tyre kanë bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira. Natyrisht se edhe disa të tjerë janë në pritje, por është një moshë e re ku do të presim edhe vitin tjetër me disa të tjerë që të piqen në këtë moshë, të zhvillohen, të luajnë edhe në sezonin e ardhshëm që më pastaj t’i kemi si opsion shtesë eventualisht të kyçen tek ekipi i parë me kontrata”, shtoi Sermaxhaj.
Përtej U21-shave, Sermaxhaj ka folur edhe për skuadrën e parë të Gjilanit. Ai ka pranuar se në aspektin e rezultateve skuadra nuk është në formë të mirë, por që gëzon fakti se aspekti financiar me donatorët e rinj tashmë është përmirësuar.
Sermaxhaj: Me donatorët e rinj skuadra është stabilizuar financiarisht
“Në aspektin financiar po besoj që klubi është stabilizuar, saktësisht nuk e di sepse nuk kam qasje në atë aspekt, por duke e parë ekipin e parë se sa futbollistë ka grumbulluar që nga fillimi me ardhjen e donatorëve të rinj edhe me pjesën pranverore të kampionatit ka sjellë disa futbollistë të mirë duket që financiarisht qëndrojmë mirë por në aspektin e rezultateve edhe pikëve nuk qëndrojnë mirë, janë në pjesën e rënies, pra të barazhit, por kanë aty afër Feronikelin që me shumë gjasë përballja në mes të këtyre dy ekipeve do të bëjë që njëri ekip të jetë në barazh apo jo. Ka ende ndeshje, pikët janë afër kështu që Gjilani me ekipin që e ka, sepse mendoj që ka një ekip shumë të mirë, ka mundësi që ta tejkalojë edhe Feronikelin dhe t’i largohet zonës së barazhit”, shtoi më tutje Sermaxhaj.
Tek Superliga, Sermaxhaj ka folur edhe sa i përket luftës për titullin kampion. Sipas tij, megjithëse Llapi po bënë hapa të mëdhenj drejt titullit, është skuadra e Ballkani ajo që mbetet favorite për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit.
Sermaxhaj: Llapi në formë të mirë, por Ballkani mbetet favorit për titull
“Këtë vit mendoj që Superliga është jashtëzakonisht interesant në të dy aspektet, edhe në atë të shpalljes së kampionit edhe në pjesën e rënies dhe barazhit. Mendoj që Llapi ka bërë mirë që është në vendin e parë për arsye se ka bërë një rivalitet të madh me Ballkanin, po ashtu edhe me Dritën. Në këtë aspekt, prapë se prapë ekipin e Ballkanit e shoh më cilësor në aspektin e lojtarëve të cilët i ka, gjithashtu edhe lojës që bën dhe ka bërë…Mendoj që Ballkani për momentin është në një krizë të lojës, po ashtu edhe të rezultateve dhe kjo është duke u parë ndeshje pas ndeshje, sidomos këto të fundit që Ballkani është duke i zhvilluar”, deklaroi Sermaxhaj.
Ndryshe, Gjilani ndodhet në zonën e rrezikshme të tabelës së Superligës pasi pozicionohet në vendin e tetë me vetëm 27 pikë.