Saturday, 23. May 2026
Sport

Sezon historik për Vedat Muriqi, por Mallorca bie nga La Liga

GS 23/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pavarësisht një sezoni spektakolar nga Vedat Muriqi, RCD Mallorca nuk arriti ta shmangë rënien nga elita e futbollit spanjoll.

Skuadra nga ishulli e mbylli kampionatin me fitore të thellë 3-0 ndaj Real Oviedo në javën e fundit, por rezultati nuk rezultoi i mjaftueshëm për të siguruar mbijetesën në La Liga, transmeton lajmi.net.

Edhe në këtë sfidë, protagonisti kryesor ishte sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, i cili realizoi një tjetër gol dhe e përfundoi sezonin me statistika mbresëlënëse, duke konfirmuar formën më të mirë të karrierës së tij.

Muriqi ishte ndër emrat më të spikatur të kampionatit spanjoll gjatë gjithë sezonit, duke qëndruar deri në fund në garë me Kylian Mbappé për çmimin “Pichichi”, që ndahet për golashënuesin më të mirë të La Ligës.

Në fund, sulmuesi francez e mbylli sezonin me 25 gola, ndërsa Muriqi regjistroi 23 realizime, duke u renditur mes bomberëve më efikasë në Spanjë.

Mallorca e përfundoi kampionatin me 42 pikë, po aq sa Levante UD dhe CA Osasuna, por mbeti poshtë tyre për shkak të bilancit më të dobët në përballjet direkte.

Pas rënies nga liga, vëmendja tashmë është zhvendosur te e ardhmja e sulmuesit kosovar. Mediat spanjolle raportojnë se interesimi për Muriqin është rritur ndjeshëm, me disa klube evropiane që po monitorojnë situatën e tij.

Në mesin e skuadrave të përmendura është edhe FC Barcelona, e cila sipas raportimeve po ndjek nga afër zhvillimet rreth bomberit kosovar.

Njëkohësisht, mbetet e paqartë edhe vazhdimësia e Muriqit me Kombëtaren e Kosovës, pasi vetë sulmuesi kishte lënë të kuptohej së fundmi se po mendon seriozisht për të ardhmen e tij në nivel ndërkombëtar./lajmi.net/

Teilen: