Në kulmin e sezonit të vjeljes së ullinjve, fermerët po përballen këtë vit me një problem të madh: mungesën e fuqisë punëtore.
Në fshatin Ngurrëz të Lushnjës, fermerët po u kërkojnë ndihmë të afërmve. Kjo e moshuar 84-vjeçare, pavarësisht moshës, ka dalë në ullishte për të ndihmuar në vjeljen e ullinjve të djalit.
Ndërsa një tjetër fermer ka thirrur vëllain, i cili ka ardhur nga Amerika së bashku me bashkëshorten, për të përfunduar vjeljen e ullishtes.
Edhe fermerë të tjerë kanë lënë përkohësisht punën në Greqi dhe janë kthyer në vendlindje, për të qëndruar të paktën dy muaj, kohë që u nevojitet për të vjelë prodhimin.
Por, përveç mungesës së punëtorëve, shqetësim për fermerët është edhe kostoja e lartë e punës.
Ata që arrijnë të gjejnë punëtorë duhet të paguajnë nga 3 mijë deri në 4 500 lekë në ditë për një person.
Përballë këtyre vështirësive, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të mbështetur këtë sektor. Sipas tyre, nëse nuk gjendet një zgjidhje për shitjen e vajit dhe përballimin e shpenzimeve, rreziku është që vitin e ardhshëm shumë fermerë të heqin dorë nga vjelja e ullinjve.
/rtsh.al/